Lojtarët e Kombëtares duan të lënë gjurmë edhe në këtë merkato vere. Paraqitjet e mira që bënë në Europianin e Gjermanisë i ndihmojnë disa lojtarë që të jenë në objektivat e skuadrave të rëndësishme europiane, ndaj dhe po shqyrtojnë ofertat më të mira. Ka disa lojtarë që duan të ndryshojnë ambient, sikurse ndodh me dyshen që luan në Rusi, Mario Mitajn dhe Mirlind Dakun, lojtarë që me siguri do të kalojnë në një kampionat tjetër në këtë merkato vere. Interesimet nuk kanë munguar dhe të dy lojtarët e kanë pranuar se kanë marrë oferta nga klube dhe liga serioze dhe janë duke shqyrtuar mundësitë.
Por në lojë është dhe Armando Broja, i cili ka marrë vëmendjen e Juventusit dhe priten surpriza të mëdha me lojtarët e rinj të përfaqësueses tonë. Kështu, “Football-Italia” ka raportuar të premten se skuadra e Juventusit është futur në garë për shërbimet e Armando Brojës, që është futbollist i Çelsit. Broja po shihet si zëvendësuesi ideal i polakut Arkadiusz Milik, i cili pritet të largohet nga Juventusi në këtë afat kalimtar. Së fundmi është raportuar se edhe skuadra e madhe turke, Beshiktash, është interesuar për 22-vjeçarin. Broja ka filluar stërvitjet te Çelsi, por nuk pritet të jetë në planet e skuadrës angleze. Broja luajti dy ndeshje me Shqipërinë në “Euro 2024”. Me Çelsin, Broja ka kontratë deri në verën e vitit 2028, por dalja e Juves në skenë i rrit shanset e transferimit.
Edhe Mitaj në planet e Juventusit
Ka javë të tëra që qarkullojnë zërat se klubi i Juventusit është duke shikuar opsionin e blerjes të mbrojtësit shqiptar Mario Mitaj, për të rregulluar problemet e shumta që kanë në repartin e majtë difensiv të ekipit. Megjithatë, klubi bardhezi ka qenë i zënë me punë të tjera, ku këto ditët e fundit, zyrtarizoi edhe nënshkrimin me trajnerin e ri Tiago Mota. “Zonja e Vjetër” çalon në shumë reparte dhe supozohet që do të bëjë një merkato të fuqishme, që të mund t’i mbulojë këto boshllëqe. Tani, Juventusit i shtohet edhe një problem tjetër, sepse Mitaj ka rënë në radarët e Beshiktashit. Klubi turk thuhet që i ka bërë një ofertë konkrete Lokomotivës së Moskës për të blerë kartonin e mbrojtësit shqiptar. Këto nuk janë lajme të mira për klubin torinez, që duke parë interesimin më të lartë të turqve, mund të shikojnë për një emër tjetër që të transferojnë për repartin e mbrojtjes.
Daku në planet e disa skuadrave, në Itali
Ndërkohë që Mitaj kërkohet në disa liga europiane, ka sinjale pozitive edhe për një tjetër lojtar të Kombëtares që luan në kampionatin rus, Mirlind Dakun, i cili është pjesë e Rubin Kazanit. Ai vazhdon të ngelet në prioritet të shumë klubeve, pavarësisht se historia e tij në Europianin e Gjermanisë ishte për t’u harruar. Por kjo nuk e ka ulur aspak interesin për të, teksa në Rusi kanë zbuluar edhe një ekip të Serisë A që e kërkon. Bëhet fjalë për Kaliarin, që është pjesë e elitës së futbollit italian. Madje po sipas mediave në Rusi, Kaliari ka bërë një ofertë zyrtare për Mirlind Dakun. Për momentin Rubin Kazan nuk ka kthyer ende një përgjigje përfundimtare, ndërsa ngelet enigmë pjesë e shumës së ofruar për kartonin e shqiptarit.