Sipas “Le Parisien”, Gjykata Penale e komunës së Nanterre dënoi me 12 muaj burg ish-futbollistin e përfaqësueses së Francës, Patrice Evra, me kusht, si dhe me 4 mijë euro gjobë për dëmin moral ndaj ish-partneres së tij, Sandra Evra.
Gjykata e cilësoi të provuar braktisjen e familjes nga ish-lojtari, i cili ka përfaqësuar “Les Bleus” 81 herë dhe ka luajtur për klube si Monaco, Manchester United apo Juventus gjatë karrierës së tij.
Sandra, 42 vjeçe, dhe Patrice Evra, 43 vjeç, u martuan në vitin 2007 dhe kanë dy fëmijë së bashku. Në korrik 2020, tabloidi britanik Daily Mail zbuloi fotografi komprometuese të ish-futbollistit me modelen daneze Margaux Alexandra, me të cilën ai përfundimisht do të martohej dhe do të kishte dy fëmijë të tjerë.
Sandra Evra ka bërë menjëherë procedurat e divorcit në gjykatën franceze, por procesi është ende në vazhdim.
“Shpresoj që me këtë vendim dhe Patrice Evra të kuptojë se nuk është mbi ligjin dhe nuk mund të braktisë gruan dhe fëmijët brenda natës. Sidomos kur ai dhe ish-partnerja e tij u takuan në moshën 15-vjeçare dhe ajo e shoqëroi në të gjithë botën për ta mbështetur në karrierën e tij futbollistike”,
tha gjyqtarja Nathale Dubois, e cila shpjegoi gjithashtu se ish-lojtari detyrohet të paguajë rreth një milion euro kuotë ushqimore për braktisje ët familjes katër vjet më parë.
Patrice Evra nuk ishte i kënaqur me vendimin dhe avokati i tij, Jérôme Boursican, siguroi se do të apelojë, pasi, sipas tij, Evra i ofroi ish-gruas së tij “një shtëpi luksoze me një pishinë, në jug të Francës, dhe gjithashtu dy milionë euro për shpenzime korrente”.