Navas - një rast i jashtëzakonshëm në historinë e futbollit

Futboll

Navas - një rast i jashtëzakonshëm në historinë e futbollit

Më: 12 korrik 2024 Në ora: 17:04
Jesús Navas

Jesus Navas është një rast i jashtëzakonshëm në historinë e futbollit.

Ai është 38 vjeç (në nëntor mbush 39) dhe është lider në krahun e djathtë të mbrojtjes për shumë vite. Navas është një shembull për të gjithë, një futbollist i përjetshëm që ka respektin e kujtdo. Përveç kësaj, karriera e tij, ka plot momente të paharrueshme, ku fshihet një moment historik i mahnitshëm. Navas ka qenë në pesë kompeticione me Spanjën dhe ka arritur gjithmonë në finale.

Kupa e Botës 2010, Euro 2012, Kupa e Konfederatave 2013, UEFA Nations League 2023 dhe së fundmi Euro 2024, janë pesë turnet e mëdhenj, ku prezent ka qenë edhe Navas. Për kanalin zyrtar të federatës spanjolle, Jesus u shpreh shumë i lumtur për këtë rekord.

“Kam pasur fatin të jem me kombëtaren për shumë vite. Është e pabesueshme që kam arritur në finale në të pesë turnetë ku kam qenë, është një burim krenarie për mua. Jam shumë i lumtur për këtë”
Navas, i cili ka qenë në shumë epoka të Spanjës, thotë se ka diçka të veçantë në grupin që Luis de la Fuente ka formuar për këtë europian, diçka që i kujton kohët e arta.

“Mendoj se kemi më shumë harmoni, është një familje. Kjo është ajo që na bëri të fitojmë tituj dhe po e bëjmë përsëri. Vitin e kaluar fituam ligën e kombeve dhe tani jemi në finale e europianit. Shpresojmë se mund ta ngremë trofeun në fund. Jemi shumë të emocionuar, ashtu si gjithë kombi ynë”.

Navas, si gjithmonë, ka shfaqur profesionalizëm unik edhe në këtë Europian. Ai luajti kundër Shqipërisë me një dhimbje në këmbë që në minutën e parë dhe kundër Francës ndjeu sërish një shqetësim të vjetër që e ka pasur prej vitesh.

“Kam disa vite që luaj me shqetësim në ijën time. Ka raste kur bëhet edhe më e vështirë.

Në pjesën e parë ndaj Francës kisha shumë dhimbje, por doja të vazhdoja dhe të ndihmoja skuadrën”.

Europiani është ende një hap larg dhe pa pasur vetëbesim të tepruar, Navas i lejon vetes të ëndërrojë një titull tjetër.

“Do të ishte e jashtëzakonshme. Për shokët e mi të skuadrës, për tifozët. Ata e meritojnë. Jemi shumë krenarë për mënyrën se si po ecim dhe duhet të vazhdojmë kështu.”

Navas do të jetë gjithnjë i njëjti, gjithmonë në shërbim të skuadrës, i gatshëm për të sakrifikuar. Kjo është arsyeja pse ai është një nga kapitenët e Spanjës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat