Rashica: Ka interes për mua, por klubi jep vlerësimin final

Futboll

Rashica: Ka interes për mua, por klubi jep vlerësimin final

Më: 25 qershor 2024 Në ora: 14:39
Ermir Rashica

Një Skënderbe edhe më të fortë presin të gjithë në Korçë, madje edhe ata që janë pjesë e këtij ekipi.I tillë është rasti i sulmuesit kosovar Ermir Rashica, i cili në një prononcim për “Panorama Sport” flet për zhurmën e merkatos që lidhet gjithnjë e më shumë me emrin e tij. Edhe pse gjithnjë e më shumë në qendër të zhurmave për një transferim të mundshëm jashtë Shqipërie, Rashica ruan enigmën e këtij transferimi.

“Unë doja ta nisja fillimisht me një falënderim për Skënderbeun, që më dha mundësinë që të arrij në të tilla nivele. Është merita e këtij klubi që unë kam mundur të tregoj vlerat e mia si futbollist, prandaj i jam mirënjohës.

Tani jemi në merkato dhe gjithçka që qarkullon s’duhet të na përfshijë, pasi ka dhe shumë lajme që janë jokorrekte.

Në dijeninë time klubi dhe menaxheri janë duke punuar për të gjetur më të mirën e mundshme, pasi nuk e mohoj që interesime ka pasur. Unë jam i qetë pasi e di që të gjithë do të mundohen për të krijuar kushtet më të mira, si për klubin edhe për mua.

Nuk dua të përfshihem aspak deri në momentin që do të ketë diçka për të folur, pasi deri më tani janë bisedime dhe asgjë më shumë. Unë jam i përqendruar te përgatitjet individuale. Merkatoja është e gjatë dhe nëse diçka duhet të ndodhë, do të ndodhë”, theksoi fillimisht sulmuesi kosovar.

SEZONI I RI – I ndalur më pas te sezoni i ri, sulmuesi ka besimin se Skënderbeu do të dijë të ndërtojë grupin e duhur për të përsëritur suksesin e vjetshëm.

“Ky sezon ka për të qenë edhe më i fortë dhe shumë më i vështirë se një sezon më parë. Kjo edhe për faktin se ekipet janë më ambicioze për të bërë më mirë se në atë që treguan vitin e kaluar.

Jam i bindur që edhe pse deri tani asgjë s’është bërë zyrtare, Skënderbeu di se si të godasë dhe di çfarë zgjedhjesh duhet të bëjë. Prandaj jemi të qetë sepse do të kemi një ekip më të fortë sesa vjet dhe më konkurrues. Kjo është ajo që unë mendoj”, përfundoi sulmuesi kosovar Ermir Rashica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat