Ja si pritet të rreshtohen “tre luanët” kundër Sllovenisë

Futboll

Ja si pritet të rreshtohen “tre luanët” kundër Sllovenisë

Më: 25 qershor 2024 Në ora: 13:14
Anglia

Dy ndeshje, katër pikë në xhep dhe kualifikimi 99% i kryer, por në Angli nuk ka qetësi.

Kjo pasi skuadra dhe trajneri Garet Sauthgejt janë vënë në qendër të kritikave pas dy paraqitjesh aspak bindëse, qoftë ndaj Serbisë (1-0), qoftë ndaj Danimarkës (1-1).Ndaj kundër Sllovenisë sonte në mbrëmje pritet një reagim dhe ky ka ardhur që pa nisur takimi. Siç bëjnë me dije mediat britanike, trajneri Garet Sauthgejt ka vendosur të sakrifikojë mbrojtësin Trent Aleksandër-Arnold.

Titullar në mesfushë në dy takimet e para në grup, ai duket se do ta nisë nga stoli ndaj Sllovenisë, teksa në vend të tij pritet që Sauthgejt të vendosë titullar Gallager.

Sauthgejt dhe ndihmësi i tij Stiv Holland besohet se kanë punuar me Aleksandër-Arnold për disa muaj për ta përgatitur atë për rolin e tij “të panjohur”, por paraqitjet e tij së bashku me Deklan Rajs nuk kanë qenë fort bindëse dhe kanë ndarë opinionin mes mbështetësve dhe ekspertëve. Anglia kujtojmë se kryeson grupin C me katër pikë dhe do të synojë të përfundojë në krye në Këln përballë sllovenëve.

Konor Gallager nga ana e tij ishte zëvendësuesi i mbrojtësit të Liverpulit në të dy takimet e para në grup. Dhe paraqitja e tij duket se ka krijuar më shumë besim te trajneri Sauthgejt, që ka vendosur t’iu besojë atij një vend si titullar. Përfshirja e Gallager ka të ngjarë të jetë ndryshimi i vetëm në skuadrën e Anglisë, pavarësisht se Kieran Tripie, i cili ka luajtur në krahun e majtë të mbrojtjes në Gjermani, ka pasur një dëmtim të vogël.

Megjithatë, prania e tij në fushë kundër Sllovenisë nuk vihet më mëdyshje. Sa për pjesën tjetër të ekipit të gjithë duket se janë të konfirmuar, duke nisur që nga portieri Pikford e deri te kapiteni Herri Kejn.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat