Holanda mund të bëjë rrugë të gjatë

Futboll

Holanda mund të bëjë rrugë të gjatë

Më: 25 qershor 2024 Në ora: 11:47
Virxhil Van Dajk

Pavarësisht se Holanda doli e pamposhtur nga ndeshja me Francën, kritikat që ka marrë për mënyrën e lojës kanë qenë të shumta.Opinionistë, ish-lojtarë dhe media kanë kryqëzuar disa prej elementeve të lojës dhe individë të Kumanit.

Kundër Francës, Holanda regjistroi përqindjen më të ulët të mbajtjes së topit në një ndeshje Europiani që nga viti 1980.

Mirëpo, kapiteni i skuadrës Virxhil Van Dajk nuk i kundërshton kritikat. Ai madje i pranon ato dhe thotë se duhet të përmirësohen në të ardhmen.

Sipas mbrojtësit, çdokush është i lirë të thotë çfarë të dojë sepse lojtarët janë mësuar me situata të tilla.

“Çdokush ka opinionin e tij. Kjo është gjë e mirë. Mua nuk më shqetësojnë aspak, por besoj as shokët e skuadrës. Është pjesë e futbollit. Nëse do të më irritonin, atëherë do të ishte një jetë shumë më negative”, tha fillimisht Van Dajk.

Ai e kupton edhe faktin që pritshëmritë e tifozëve për këtë skuadër janë të larta dhe kërkohet patjetër në çdo kompeticion që të shkojë deri në fund të rrugëtimit dhe madje të fitojë trofeun.

“Unë e di që pritshmëritë janë maksimale për ne. Edhe ne vetë kemi pritshmëri dhe objektiva të mëdha. Kemi një skuadër të mirë dhe sinqerisht e mendoj këtë. Duam ta tregojmë në ndeshjet e mëdha. Pas ndeshjes me Francën, edhe vetë lojtarët me njëri-tjetrin e pranuan që duhet të përmirësohemi”, shtoi ai.

Mbrojtësi 32-vjeçar që bën debutimin në Europian thekson se Holanda mund të bëjë rrugë të gjatë.

Fillimisht duhet të kalojë pengesën e parë që është Austria, një sfidë delikate për llogaritë e fazës së ardhshme.

“Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Ne do të zbresim në fushë për të bërë maksimumin. Kemi analizuar ndeshjen me Francën dhe duhet të bëjmë shumë herë më mirë sesa ajo sfidë. Mund të bëjmë rrugë të gjatë në këtë Europian.

Nuk mund ta parashikoj sa larg do të shkojmë, por sigurisht që i kemi të gjitha mundësitë sepse skuadra ka lojtarë të rinj dhe kampionë të vërtetë. Në ndeshjet e mëdha duhet ta tregojmë këtë”, përfundoi Van Dajk.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat