Sonte Shqipëria përballë Spanjës, një mundësi për kualifikimin historik

Futboll

Sonte Shqipëria përballë Spanjës, një mundësi për kualifikimin historik

Më: 24 qershor 2024 Në ora: 08:09
Foto ilustrim

Sonte, Shqipëria do të përballet me një sfidë të jashtëzakonshme në ndeshjen kundër Spanjës, e cila zhvillohet në Duesseldorf në orën 21:00.

Spanja, tashmë e kualifikuar si fituese e Grupit B dhe një ndër ekipet që ende nuk ka pësuar gol, pritet të pushojë disa prej lojtarëve kryesorë. Kjo mund të jetë një mundësi për kuqezinjtë, të cilët ëndërrojnë të bëjnë histori duke arritur në fazën e eliminimit direkt për herë të parë në një Kampionat Evropian.

Spanja ka treguar një performancë të shkëlqyer dhe të sigurt në fitoret kundër Kroacisë (3:0) dhe ndaj kampionit në fuqi, Italisë (1:0). Si kampionë të Evropës në vitet 1964, 2008 dhe 2012, ata janë përsëri ndër favoritët për të fituar titullin. Një aspekt i vetëm negativ në fitoren e Spanjës ndaj Italisë ishte se goli i vetëm erdhi nga një autogol i mbrojtësit italian, Riccardo Calafiori.

Pavarësisht fuqisë së kundërshtarit, Shqipëria është e vetëdijshme për rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Një fitore ndaj Spanjës do të ishte një nga tronditjet më të mëdha në historinë e Kampionatit Evropian dhe do të siguronte kualifikimin historik të Shqipërisë në fazën e eliminimit direkt.

Trajneri i Shqipërisë, Silvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti, në konferencën e djeshme për media kanë theksuar rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe përgatitjen e skuadrës për të dhënë maksimumin në fushë.

Shqipëria ka treguar shpirt luftarak dhe vendosmëri gjatë turneut në Euro 2024, teksa tifozët shqiptarë kanë qenë ndër më të zjarrtit në stadiumet gjermane.

Rezultati i kësaj ndeshjeje është jetik për Shqipërinë. Ndërkohë që rivalët e grupit, Kroacia dhe Italia, përballen në Leipzig, fitorja është e vetmja rrugë që mund të sigurojë kualifikimin për kuqezinjtë.

Mirlind Daku është i pezulluar për këtë ndeshje, derisa Broja, Gjasula, Hoxha dhe Hysaj në rast të ndëshkimit me karton të verdhë do të mungojnë potencialisht në ndeshjen e ardhshme. Te Spanja mungon Rodri i pezulluar, kurse ndeshjen e ardhshme për shkak të kartonëve e rrezikojnë Carvajal dhe Le Normand.

Formacionet e mundshme:

Shqipëria: Strakosha; Balliu, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj; Ramadani, Abrashi, Asllani, Bajrami, Laçi; Broja

Spanja: Raya; Navas, Vivian, Laporte, Grimaldo; Merino, Zubimendi, Olmo; Torres, Joselu dhe Oyarzabal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat