E ardhmja e Emiljano Çelës

Futboll

E ardhmja e Emiljano Çelës

Më: 22 qershor 2024 Në ora: 18:07
Emiljano Çela

Kastrioti ka mbyllur një sezon me luhatje dhe plot vështirësi dhe mbijetesa në Kategorinë e Parë u arrit në finishin e kampionatit. Menjëherë pas mbarimit të kampionatit, stafi dhe futbollistët e skuadrës krutane janë lënë pushim.

Gjithsesi, kjo nuk i ka ndaluar lojtarët të shohin mundësi aktivizimi dhe transferimi në klube të tjera, si brenda dhe jashtë vendit. Deri më tani, plot 8 lojtarë i kanë dhënë lamtumirën Kastriotit. Së fundmi në kamp flitet nën zë edhe për mundësinë e largimit të trajnerit Ramadan Ndreu.

Gjithsesi, as nga klubi dhe as nga vetë trajneri Ndreu nuk ka ndonjë prononcim për këtë situatë. Flitet se me shumë mundësi do të ketë një rikthim të ish- lojtarit dhe ish-trajnerit, Emiljano Çela.

Nga qarqe jo zyrtare, mësohet se drejtuesit e klubit janë në bisedime me Çelen për një rikthim të mundshëm si “timonier” i krutanëve për sezonin 2024-2025, por deri tani s’ka asgjë zyrtare. Kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim. Sa i përket lojtareve, “hemorragjia” vazhdon.

Plot 8 lojtarë deri tani janë larguar për t’u sistemuar me ekipe të tjera. Fillimisht ishin Hoxha dhe golashënuesi Kapllani që u larguan dhe më pas të tjerët si Doseh, Kuka, Arapi, Çela, Zuna dhe se fundi Kodra. Mirëpo, gjasat janë që “hemorragjia” të vijojë te krutanët edhe në ditët e javët në vijim.

Ndërkaq, të gjithë lojtarët vazhdojnë pushimet dhe shijojnë ndeshjet e Kampionatit Europian. Deri tani s’është thënë asgjë në lidhje me datën e fillimit të fazës përgatitore dhe nuk dihet se kur do të fillojë riorganizimi i Kastriotit të sezonit 2024- 2025.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat