Ankohet

Futboll

Ankohet

Më: 22 qershor 2024 Në ora: 15:21
Didier Deshamps

Për ndeshjen e dytë të “Euro 2024”, skuadra e Francës nuk arriti të fitojë.

Edhe kundër Holandës, “Gjelat” nuk arritën të shënojnë përtej një 0-0 të vakët dhe me pak raste për t’u nënvijëzuar.

Të shpëtuar nga një gafë austriake kur hynë në turne, dje me holandezët djemtë e Deshampsit u përpoqën shumë kundër, por saktësia, dhe ndonjëherë suksesi, mungoi. Kaq mjaftoi për ta acaruar Didier Deshamps, i cili pas ndeshjes deklaroi:

“Pendimi më i madh për sfidën me Holandën është efikasiteti përpara porte. E them këtë sepse kishim të paktën pesë raste të pastra e duhet të kishim shfrytëzuar të paktën njërin. Mund të kishim marrë avantazhin, por nuk duhet harruar që edhe Holanda pati dy ose tri raste gjithashtu. Por ishte sërish një ndeshje me intensitet të madh.

Një ekip holandez që ishte shumë më i kujdesshëm sesa zakonisht dhe kjo na e vështirësoi punën. Dhe të kesh kaq shumë raste dhe të mos shënosh, ky është i vetmi peng që kam sonte”. Një periudhë rikuperimi për Mbapenë që mbetet ende në pikëpyetje, por trajneri i “Gjelave” u shpreh me rezerva, prej mungesës së efikasitetit të skuadrës së tij.

“Nuk dua të ankohem sepse mendimin tim e kam dhënë me kohë, por kemi pasur gati tridhjetë e gjashtë orë më pak rikuperim, dhe rikthimi në hotel pas Austrisë ishte i tej zgjatuar.

Pavarësisht gjithçkaje, ne u përgjigjëm në një nivel të mirë atletik kundër një skuadre energjike si Holanda. Ata luajtën ndeshjen e tyre të parë në orën 15:00, ne të nesërmen në orën 21:00. Pra, padyshim që një fare hendeku krijohet pavarësisht se flasim për lojtarë elitarë.

Ne bëmë gjithçka që ishte e nevojshme me stafin mjekësor (…) për t’u rikuperuar”. Tani, francezët po shohin drejt ndeshjes së tyre të tretë dhe të fundit në grup, të planifikuar për 25 qershor kundër Polonisë. Dhe këtë herë, justifikimi i ditëve të pushimit s’do të mjaftojë, pasi polakët dhe Franca luajtën këtë të premte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat