Danilo flet për depresionin: Nuk njihja veten!

Futboll

Danilo flet për depresionin: Nuk njihja veten!

Më: 22 qershor 2024 Në ora: 15:08
Danilo

Në pesë vite te Juventus, Danilo është shndërruar në një lider të bardhezinjve duke merituar edhe shiritin e kapitenit. Braziliani dallohet për sakrificën dhe karakterin e shfaqur në fushë, mirëpo karriera nuk ka qenë gjithnjë e lehtë për 32-vjeçarin.

Madje, ka pasur raste kur ish-lojtari i Real Madrid dhe Manchester Cityt ka menduar edhe të heqë dorë. Vetë Danilo në një rrëfim për “the Players Tribune”, zbulon luftën e madhe me depresionin dhe mendimet negative të cilat i ndikonin për keq në fushë.

“Edhe unë jam njeri dhe jo gjithmonë kam qenë në më të mirën time. Gjatë sezonit të parë me Real Madrid isha në depresion, ndjehesha i humbur dhe i panevojshëm. Në fushë nuk arrija të bëja një pasim të saktë edhe në një distancë prej pesë metrash. Jashtë fushe pastaj nuk arrija të lëvizja, kisha humbur pasionin për futbollin dhe nuk arrija të gjeja një rrugëdalje.

Nuk ndjehesha më si një djalë i thjeshtë, por ndihesha si ai djali që kishte firmosur një kontratë prej 31 milionë eurosh me Real Madrid. Ndikohesha nga ajo që shkruhej në shtypin sportiv. Njëherë luanim ndaj Alaves dhe Theo Hernandez më “vodhi” një top, ata shënuan gol.

Ne fituam 4-1 në fund, por ishte një gabim që te Reali nuk të falet. Atë mbrëmje u ktheva në shtëpi dhe nuk fjeta gjithë natën. Në ditarin tim shkruajta se kishte ardhur momenti për t’u larguar nga futbolli, por isha vetëm 24-vjeç.

Nuk flisja me askënd për ndjesitë e mia, edhe pse Casemiro tentoi të më ndihmonte.

Pas shumë kohë të kaluar mes vuajtjesh, më në fund takova një psikolog që në fakt më shpëtoi karrierën.

Aspekti më i rëndësishëm që ai më mësoi ishte që ta shikoja futbollin me sytë e një fëmije, u desh të kujtoja edhe njëherë kohën kur luaja për qejf dhe ku paratë nuk ishin të përfshira. Nëse karriera ime shpëtoi atëherë kjo vjen vetëm prej psikologut dhe fëmijëve, dy djemve të mi”, tregon Danilo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat