Vllaznia sfidon Valurin

Futboll

Vllaznia sfidon Valurin

Më: 20 qershor 2024 Në ora: 11:35
Vllaznia

Është hedhur në ditët e fundit shorti i turit të parë dhe të dytë të Ligës së Konferencës, ku merr pjesë edhe Vllaznia.

Kështu sipas shortit, skuadra e Vllaznisë do të luajë kundër Valur në turin e parë, për të luftuar më pas të kalojë më tej. Ndeshja e parë do të luhet në Islandë më 11 korrik, ndërsa ajo e kthimit, në Shkodër pas një jave. Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, në një prononcim për “Panorama Sport”, ka folur për shortin e kuqebluve. Sipas tij, kushtet ku luajnë ishullorët dhe klima e ndryshme mund të kenë ndikimin e vet, por kjo në asnjë mënyrë nuk e zbeh atë objektiv që ka Vllaznia për të kaluar në turin tjetër të këtij kompeticioni.

“Ne i marrim të gjithë kundërshtarët në mënyrë profesionale dhe do të jemi të përgatitur për të gjitha rrethanat. Në Islandë do të jetë mot dhe kushte të tjera. Ata luajnë në një fushë me bar sintetik dhe kjo mund të ndikojë sadopak. Megjithatë, ne do ta përballojmë sfidën dhe objektivi ynë është i qartë, që të jemi në turin tjetër të Ligës së Konferencës”, është shprehur trajneri I Vllaznisë, Tomas Brdariç.

DREJTORI OSMANI – Pas hedhjes së shortit ka folur edhe drejtori sportiv i kuqebluve, Tefik Osmani. Në fjalën e tij për gazetën, ish-mbrojtësi është optimist se Vllaznia do të kalojë me tej, ku më pas do të ndeshet me skocezët e St. Mirren.

“Ne kemi nisur stërvitjen me datë 10 qershor dhe jemi përgatitur maksimalisht. Normalisht që çdo skuadër që ka ardhur deri këtu është e mirë, sepse jo më kot marrin pjesë në Ligën e Konferencës. Unë mendoj se do të japim maksimumin dhe besoj se mund të kalojmë për më tej. Kam shumë besim se mund ta arrijmë diçka të tillë”, tha drejtori sportiv i KF Vllaznia, Tefik Osmani. Tashmë, mbetet për t’u parë se çfarë do të dhurojnë dy sfidat mes këtyre dy skuadrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat