Dy spanjollë për Inzaghin, Interi arrin marrëveshjen me një portier dhe një mbrojtës

Futboll

Dy spanjollë për Inzaghin, Interi arrin marrëveshjen me një portier dhe një mbrojtës

Më: 18 qershor 2024 Në ora: 19:42
Martinez

Ndryshimi i pronësisë është një proces i tejkaluar tashmë te Interi, që i është rikthyer normalitetit dhe pas rinovimit me Lautaron, Barellën e Inzaghin, po punon për të përforcuar skuadrën në merkato.

Zikaltrit kanë mbyllur marrëveshjen me sulmuesin Taremi dhe mesfushorin Zielinski, të cilët do të vijnë me parametra zero, teksa media italiane bën me dije se tashmë është arritur akordi edhe për përforcimin e tretë.

Spanjolli Josep Martinez do të jetë përforcimi i radhës i zikaltërve, të cilët kanë arritur marrëveshjen me Genoan për transferimin në Milano të portierit të talentuar 27-vjeçar.

Akordi është arritur mbi bazën e 11 milionë eurove, plus kartonin e ndonjë prej të rinjve zikaltër, për të çuar shifrën në 15 milionë euro në total, teksa tashmë i takon Genoas të zgjedhë mes Oristanios dhe Satrianos.

Brenda kësaj jave pritet që spanjolli të kryejë edhe testet mjekësore për llogari të klubit milanez, teksa sezonin e ardhshëm pritet të alternohet në portë me zviceranin Yann Sommer, në mënyrë që një vit më vonë të marrë vendin e titullarit.

Krahas Martinezit, zikaltrit janë pranë firmës edhe me mbrojtësin 18-vjeçar spanjoll, Alex Perez, i cili pritet të vijë nga Betis Sevilla me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje për shifrën e tre milionë eurove.

Më pas pritet që Marotta e Ausilio të përqendrohen te merkatoja në dalje, pasi do të kërkohet sistemim për emra si Correa, Agoume, Arnautovic apo edhe Dumfries, me këtë të fundit që pritet të shitet nëse nuk rinovon kontratën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat