“Home” e ka gjetur “shtëpinë” në Kosovë

Filma

“Home” e ka gjetur “shtëpinë” në Kosovë

Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 12:32
Pamje nga konferenca e mbajtur per suksesin e filmit të shkurtër “Home”

Filmi i shkurtër “Home” është produksioni i parë nga Kosova që fiton çmimin prestigjioz BAFTA në kategorinë e filmave të shkurtër.

Filmi 20 minutësh është xhiruar në Kosovë dhe Britani të Madhe dhe e thekson gjendjen e refugjatëve dhe dhunës me të cilën përballen qindra mijëra njerëz në të gjithë globin. “Home” është bashkë-produksion i DokuFest, Somesuch dhe Black Sheep Studios me aktorë Jack O’Connel dhe Holliday Grainger në rolet kryesore.

Për regjisorin dhe skenaristin e filmit, Daniel Mulloy, filmi e ka gjetur shtëpinë në Kosovë, pasi që sipas tij të gjithë ishin të prekur për gjendjen e refugjatëve në ditët e sotme të cilët po braktisin shtëpitë e tyre.

Mulloy: Filmi e ka gjetur shtëpinë në Kosovë

“Është fantastike të vish këtu dhe të ndash suksesin më gjithë ata që bënë të mundshëm këtë film. Është një film me një temë mjaft serioze dhe ky film e ka gjetur ‘shtëpinë’ në Kosovë sepse te gjithë ishin të prekur për gjendjen e refugjatëve në ditët e sotme të cilët po braktisin shtëpitë e tyre. Kështu që, ne nuk do të mund të gjenim një vend me aq shumë dashuri dhe dhembshuri si ajo tek njerëzit e Kosovës dhe kjo është një përpjekje e  vërtetë e jona”, tha ai.

Ndërsa, për producentin e këtij filmi, Shpat Deda, çmimi BAFTA të cilin e ka fituar filmi “Home” është suksesi i parë i këtij lloji për kinematografinë se Kosoves.

Deda: Suksesi i parë i këtij lloji për kinematografinë e Kosovës.

“Është suksesi i parë i këtij lloji për kinematografinë shqiptarë edhe kosovare. Ky film në një masë të madhe është realizuar në bazë të bashkëpunimit pa asnjë kusht dhe ndihmës pa asnjë kusht që na e kanë dhënë shumë njerëz edhe shumë institucione përfshirë këtu edhe FSK-në edhe përfaqësues të tjerë donator edhe anëtarë të ekipeve të ndryshme të cilët kanë qenë në film, të cilët në saje të punës së tyre dhe bashkëpunimit të tyre na e ka mundësuar neve me e arrite këtë sukses”, tha ai.

Mrina Godanci, nga departamenti artistik i filmit Home, tha se lokacionet që kanë zgjedhur kanë qenë një pikë kryesore e këtij projekti, ku sipas saj Janjeva i ka ofruar të gjitha mundësitë për të realizuar xhirimin.

Godanci: Janjeva i ka ofruar të gjitha mundësitë

“Në fillim si një ekip shumë i vogël dhe qysh ne jemi mësuar me funksioni është kur krejt i bëjnë krejt edhe me rëndësi  mos me lënë asgjë keq dhe me u krye krejt punët... Lokacionet kanë qenë një pikë kryesore e krejt këtij procesi, ku ne kemi gjetur vendet ku kemi me xhirua, Janjeva është qyteti që na ka ofruar të gjitha mundësitë që ne me realizua ashtu qysh kemi dashtë, Duke i përfshi këtu dy skenat kryesore që është skena e luftës edhe skena e kampit të refugjatëve”, tha ajo. 

Elmedina Morina, drejtoreshë e departamentit artistik, tha se tema që e trajton filmi është e lehtë e prekshme pasi që sipas saj jo shumë kohë më parë populli kosovar ka qenë në rolin e refugjatit.

Nita Deda, drejtoresha e DokuFestit, tha se çmimi BAFTA është një dëshmi se projektet e tilla janë mënyra më e mirë për prezantimin e Kosovës.

Deda: Projektet kulturore mënyra më e mirë për prezantim të Kosovës

Fakti që ekipi jonë e Kosovës ka qenë në të njëjtin nivel me ekipin më shumë eksperiencë nga Anglia tregon edhe njëherë potencialin profesional të Kosovës, të rinisë së Kosovës posaçërisht, kur fuqizohemi edhe kur besohet në talentin tonë si në këtë rast besimi që na është dhënë...Çmimi BAFTA është edhe një dëshmi se projektet e tilla kulturore janë më të vërtetë mënyra më e mirë për me prezantua vendin tonë i cili mbetet ende i izoluar edhe si të tilla e meritojmë mbështetjen, tha ajo. Ceremonia e edicionit të sivjetmë të BAFTA u mbajt në Royal Albert Hall në Londër.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat