Filmi 'Shok' arrin në Amerikën Latine

Filma

Filmi 'Shok' arrin në Amerikën Latine

Më: 3 nëntor 2016 Në ora: 14:31
Filmi 'Shok'

Me përkrahjen e organizatës “Cine Alternativo” dhe producentëve të filmit, Ambasada e Republikës së Kosovës në Panama shfaqi për herë të parë në Amerikën Latine filmin e metrazhit të shkurtër “Shok”.

Në fjalimin e saj para audiencës së filmit, e ngarkuara me pune Zana Rudi tha se është nder për Kosovën që filmi “Shok” shfaqet për herë të parë në Amerikën Latine, pikërisht në Panama, vend mik i Kosovës. Rudi shtoi se Panamaja ka hapur dyert e Amerikës Latine për Kosovën dhe ka përkrahur Kosovën ndër vite, për çka Kosova do të jetë përherë mirënjohëse.

Rreth filmit “Shok”, e ngarkuara me punë Rudi theksoi se me kualitetin e tij dhe nominimin për çmimin Oscar, ky film ka shënuar suksesin më të madh në historinë e filmit kosovar. Para të pranishmëve, Rudi prezantoi storien e filmit, duke dhënë referenca historike të asaj kohe dhe duke përmbyllur me një sërë faktesh dhe video promovuese, përmes të cilave paraqitej transformimi i Kosovës në një shtet të lirë, në paqe dhe me vlera e norma evropiane.

“Sot Kosova është pjesë e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar; është në UEFA, FIFA, Komitet Olimpik Ndërkombëtar dhe në shumë organizata të tjera rajonale e ndërkombëtare”, tha Rudi, sipas të cilës, arritje këto që janë bërë me përkushtimin dhe punën e popullit dhe Qeverisë së Kosovës, si dhe me përkrahjen ndërkombëtare.

Me interesimin dhe pjesëmarrjen e madhe nga publiku panamez dhe trupi diplomatik i akredituar në Panama, ngjarja e organizuar nga Ambasada e Kosovës ishte një mundësi e shkëlqyeshme për të prezantuar dhe për të biseduar për ngjarjet në Kosovë që nga lufta e deri më sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat