Kryeministri britanik, Keir Starmer bëri thirrje që të mos ekzagjerohet rëndësia e raketave me rreze të gjatë për fitoren e Ukrainës kundër Rusisë.
“Suksesi i Ukrainës në luftë nuk varet nga përdorimi i raketave me rreze të gjatë për të goditur territorin rus”, tha lideri britanik.
Megjithatë, Kievi insiston në një zgjidhje të menjëhershme për çështjen e përdorimit të tyre.
Raketa të tilla si britaniket “Storm Shadow” dhe ato amerikanet “ATACMS” janë të nevojshme që Ukraina të zmbrapsë sulmet ruse me rreze të gjatë dhe të shkatërrojë pajisjet e tjera ushtarake ruse, këmbëngul Kievi.
Rusia ka modernizuar bombat që lëshojnë aeroplanët e saj, pa hyrë në territorin ukrainas, tha për AP, Oleksandr Kovalenko, analist ushtarak në qendrën e mendimit të Rezistencës së Informacionit me bazë në Kiev.
Këto bomba peshojnë 1.5 tonelata, gjashtë herë më të mëdha se ato të përdorura për herë të parë në Bakhmut në vitin 2022.
Forcat ukrainase nuk kanë mbrojtje kundër bombave të tilla dhe mjetet më efektive për t’i luftuar ato do të jenë raketat me rreze të gjatë veprimi për të goditur aeroplanët rusë, citoi AP ushtarët e përfshirë në luftimet kundër rusëve.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2024 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale.