Partitë proruse hyjnë në Qeverinë e Malit të Zi

Evropë

Partitë proruse hyjnë në Qeverinë e Malit të Zi

Më: 23 korrik 2024 Në ora: 18:19
Kuvendi i Malit të Zi, 23 korrik 2024.

Partia proruse, Fronti Demokratik (DF) dhe Partia Boshnjake (BS) kanë hyrë në Qeverinë e Malit të Zi, pasi Parlamenti votoi më 23 korrik për riformatizmin e ekzekutivit.

Partia proruse do të ketë dy poste të zëvendëspresidentit dhe do të udhëheqë dy ministri, ndërkaq partia boshnjake do të ketë një zëvendëspresident dhe pesë ministra.

Me hyrjen e këtyre partive, Qeveria e Malit të Zi tani do të ketë 32 anëtarë – Qeveria më e madhe në historinë e shtetit.

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, gjatë adresimit të tij tha se Mali i Zi është në paqen më të mirë në historinë e tij.

“Kjo qeveri është garantuese e stabilitetit dhe pjekurisë. Ne jemi tregues se si serbët dhe shqiptarët, serbët dhe boshnjakët mund të jetojnë dhe punojnë së bashku”, tha Spajiq.

Duke komentuar hyrjen e partive proruse në ekzekutiv, përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Socialistëve, Andrija Nikoliq, tha se Qeveria do të menaxhohet nga Moska dhe Beogradi.

“Koka dhe truri janë në Moskë. Koka e kësaj qeverie është [kryetari i Parlamentit] Andrija Mandiq, prandaj në të nuk ka asnjë malazezë”.

Ky është riformatizimi i parë i Qeverisë së Spajiqit, e cila u formua në fund të tetorit të vitit të kaluar me votat e 46 deputetëve nga 81 sa janë gjithsej.

Qeverinë, atëkohë, e mbështetën 13 deputetë të partive të DF-së, që u shpërbë së voni - përkatësisht Demokracia e Re Serbe e Andrija Mandiqit dhe Partia Popullore Demokratike e Millan Knezheviqit - me kushtin që t’i bashkohen Qeverisë këtë vit.

Politika e këtyre partive është në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi, i cili është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këto parti mbështesin heqjen e sanksioneve kundër Rusisë - të vendosura për shkak të agresionit të saj në Ukrainë - nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtare të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, mbështesin kriminelët e dënuar të luftës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, etj.

Përveçse mbështesin presidentin rus, Vladimir Putin, udhëheqësit e këtyre partive kanë marrëdhënie të ngushta politike edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

SHBA-ja, në disa raste, ka shprehur shqetësim për përfshirjen në pushtet të partive që kundërshtojnë vlerat euroatlantike.

Shqetësime të ngjashme kanë shprehur edhe institucionet evropiane.

Megjithatë, Kuvendi i Malit të Zi ka zgjedhur Andrija Mandiqin për kryetar në fund të tetorit të vitit 2023. Ai është mbështetur edhe nga përfaqësuesit e Lëvizjes së Spajiqit Evropa Tani./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat