Kryeministri i Malit të Zi propozon hyrjen e partive proruse në qeveri

Evropë

Kryeministri i Malit të Zi propozon hyrjen e partive proruse në qeveri

Më: 23 korrik 2024 Në ora: 13:30
Kuvendi i Malit të Zi, 23 korrik 2024.

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, i propozoi Kuvendit të këtij vendi një përbërje të rikonstruktuar të Qeverisë, e cila nëse votohet, do të përfshijë partitë e Frontit Demokratik prorus (DF) dhe Partinë Boshnjake (BS).

Duke iu adresuar deputetëve, Spajiq tha se Mal i Zi sot është më i bashkuar se kurrë.

“Kjo qeveri është garantuese e stabilitetit dhe pjekurisë. Ne jemi tregues se si serbët dhe shqiptarët, serbët dhe boshnjakët mund të jetojnë dhe punojnë së bashku”, tha Spajiq.

Me propozim të tij, DF-ja do t’i merrte dy poste zëvendëskryeministrash dhe tre ministra.

Ky është riformatizimi i parë i Qeverisë së Spajiqit, e cila u formua në fund të tetorit të vitit të kaluar me votat e 46 deputetëve nga 81 sa janë gjithsej.

Qeverinë, atëkohë, e mbështetën 13 deputetë të partive të DF-së, që u shpërbë së voni - përkatësisht Demokracia e Re Serbe e Andrija Mandiqit dhe Partia Popullore Demokratike e Millan Knezheviqit - me kushtin që t’i bashkohen Qeverisë këtë vit.

Politika e këtyre partive është në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi, i cili është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këto parti mbështesin heqjen e sanksioneve kundër Rusisë - të vendosura për shkak të agresionit të saj në Ukrainë - nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtare të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, mbështesin kriminelët e dënuar të luftës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, etj.

Përveçse mbështesin presidentin rus, Vladimir Putin, udhëheqësit e këtyre partive kanë marrëdhënie të ngushta politike edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

SHBA-ja, në disa raste, ka shprehur shqetësim për përfshirjen në pushtet të partive që kundërshtojnë vlerat euroatlantike.

Shqetësime të ngjashme kanë shprehur edhe institucionet evropiane.

Megjithatë, Kuvendi i Malit të Zi ka zgjedhur Andrija Mandiqin për kryetar në fund të tetorit të vitit 2023. Ai është mbështetur edhe nga përfaqësuesit e Lëvizjes së Spajiqit Evropa Tani./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat