Rusia dënon me gjashtë vjet e gjysmë burgim gazetaren e REL-it, Alsu Kurmasheva

Evropë

Rusia dënon me gjashtë vjet e gjysmë burgim gazetaren e REL-it, Alsu Kurmasheva

Më: 22 korrik 2024 Në ora: 15:21
Gazetarja Alsu Kurmasheva gjatë një paraqitjeje para një gjykate ruse.

Një gjykatë ruse ka dënuar Alsu Kurmasheva për përhapje të informacioneve të rreme lidhur me ushtrinë ruse me gjashtë vjet e gjysmë burgim, pas një gjykimi sekret, sipas dokumenteve të gjykatës dhe zyrtarëve, raporton Associated Press.

Kurmasheva ka shtetësi të dyfishtë, ruse dhe amerikane, dhe është gazetare e Radios Evropa e Lirë në Pragë.

Dënimi në gjykatën e Kazanit u shqiptua të premten, më 19 korrik, në të njëjtën ditë kur një gjykatë ruse në Jekateringburg dënoi me 16 vjet burgim gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, nën akuza për spiunazh. Shtetet e Bashkuara thanë se rasti ndaj gazetarit Gershkovich është i motivuar politikisht.

Kurmasheva, gazetare e Shërbimit të Tatar-Bashkirit të Radios Evropa e Lirë u dënua për “përhapje të informacioneve të rreme” për ushtrinë, sipas informacioneve të publikuara në ueb-faqen e Gjykatës Supreme të Tatarstanit. Zëdhënësja e gjykatës, Natalya Loseva, konfirmoi për Associated Press se Kurmasheva u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burgim për rastin, që është klasifikuar si sekret, duke mos dhënë detaje për natyrën e akuzave ndaj saj./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat