Kievi: Rusia ka rrëmbyer më shumë se 19 mijë fëmijë ukrainas

Evropë

Kievi: Rusia ka rrëmbyer më shumë se 19 mijë fëmijë ukrainas

Më: 21 korrik 2024 Në ora: 19:33
Foto ilustrim

Zyrtarët ukrainas thonë se agresioni rus ka kthyer në pengje mijëra fëmijë ukrainas të bllokuar në territoret e pushtuara nga forcat e Kremlinit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Chernikova nga Kievi, Ukraina po përpiqet t’i kthejë në vendin e tyre fëmijët ukrainas që Rusia i ka dërguar në programe riedukimi dhe birësimi.

Që nga maji i këtij viti, qeveria ukrainase ka identifikuar më shumë se 19,000 fëmijë të zhvendosur me forcë nga Rusia. Më pak se 400 prej tyre janë gjetur dhe janë kthyer në shtëpi

Mykola Kuleba, me organizatën e bamirësisë "Save Ukraine" që ndihmon në gjetjen dhe kthimin e fëmijëve ukrainas, thotë për Zërin e Amerikës se ai beson se numri aktual është shumë më i lartë nëse merret parasysh pushtimi rus i Krimesë dhe Donbasit në vitin 2014.

“Ka më shumë fëmijë të tillë. Shifra në fjalë është vetëm për dy vitet e fundit, por lufta ka dhjetë vjet që vazhdon”.

Bohdan Shvetsov nga Kherson-i është 14 vjeç. Pas rënies së qytetit nën kontrollin rus, drejtori i shkollës së tij, i emëruar nga agresori rus, i propozoi djaloshit një udhëtim dy-javor në një kamp për fëmijë në Krime. Ai dhe shumë fëmijë të tjerë pranuan.

Bohdan-i tregon se kur mbaruan dy javët e pushimit, drejtuesit e kampit u thanë fëmijëve se nuk do të ktheheshin në shtëpi për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

“Na thane se për arsye sigurie do të qëndroni në kamp, sepse në rajonin tuaj ka bombardime dhe se nuk kishin ku të na çonin”, tregon 14-vjeçari ukrainas.

Nëna e tij, Iryna Shvetsova, thotë se drejtuesit e kampit i thanë se e vetmja mënyrë për ta parë sërish djalin e saj ishte që të shkonte në Krime dhe ta merrte atë.

“Drejtori i kampit tha se afati i fundit për të marrë fëmijët ishte 7 prilli dhe se pas kësaj date fëmijët e mbetur në kamp do të dërgoheshin në vende të ndryshme”.

Shvetsova i përshkruan si torturë gjashtë muajt e pritjes për bashkimin me djalin e saj.

“Nuk flija dot dhe pyesja veten se çfarë duhet të bëja.”

Iryna gjeti vullnetarë që ndihmonin prindërit të kthenin fëmijët si Bohdan-i në territoret e kontrolluara nga Ukraina.

“Më 7 prill duhet të ktheheshin 33 fëmijë, por vetëm 32 u kthyen. Njëra nga dy motrat që ishin në kamp qëndroi atje [në Krime]. Gjyshja e tyre, e cila do të merrte mbesat e saj, vdiq rrugës teksa po merrej në pyetje nga rusët”, tregon Iryna Shvetsova, nëna e Bohdan-it.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka ngritur akuza për krime lufte ndaj Presidentit Vladimir Putin për dëbim dhe transferim të paligjshëm të fëmijëve.

Zyrtarët në Kiev thonë se mijëra fëmijë ukrainas mbahen ilegalisht në Rusi ose në territoret e pushtuara nga forcat e Kremlinit, larg familjeve të tyre që kanë frikë se shumë prej fëmijëve mund të mos kthehen më kurrë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat