OBSH thotë se Evropa duhet të vazhdojë luftën kundër HIV/AIDS-it

Evropë

OBSH thotë se Evropa duhet të vazhdojë luftën kundër HIV/AIDS-it

Më: 20 korrik 2024 Në ora: 12:19
Proces i testimit të gjakut të një pacienti, nëse është infektuar me virusin HIV.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është duke bërë thirrje për luftë kundër HIV-it dhe stigmës rreth tij, pak para një konference ndërkombëtare për AIDS-in, që do të nisë të hënën në Mynih.

AIDS-in e shkakton virusi HIV, i cili e dëmton sistemin imunitar të njeriut, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj infeksioneve të rënda.

Virusi mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar.

Derisa shifrat e infektimeve të reja dhe vdekjeve janë duke u rritur në Evropë, situata epidemike dallon shumë nga rajoni në rajon, ka thënë drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge.

“Situata në rajonin evropian përbën një prej kontrasteve më dramatike”, ka thënë ai.

Kluge ka thënë se disa shtete e kanë luftuar pothuajse tërësisht transmetimin e HIV-it dhe mund të thonë që dhënia fund e AIDS-it është në horizont.

Në vende tjera, shkalla e vdekjeve është në mënyrë të papranueshme e lartë, ka vlerësuar ai.

Sipas Kluges, diagnostikimi i HIV-it në faza të vonshme mbetet problem në ditët e sotme, dhe ka thënë se duhet të merren masa urgjente për të adresuar stigmatizimin e të prekurve.

Sipas Kluges, në Evropë jetojnë rreth tre milionë njerëz me AIDS, ndërsa në gjithë botën rreth 39 milionë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat