Stoltenberg bën paralajmërimin e fortë: Evropa duhet të përgatitet që lufta në Ukrainë të zgjasë të paktën 10 vjet

Evropë

Stoltenberg bën paralajmërimin e fortë: Evropa duhet të përgatitet që lufta në Ukrainë të zgjasë të paktën 10 vjet

Më: 19 korrik 2024 Në ora: 11:11
Jens Stoltenberg dhe Volodymyr Zelensky

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në largim, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar se Europa duhet të përgatitet që lufta në Ukrainë të zgjasë të paktën 10 vjet.

Duke folur për BBC, Jens Stoltenberg iu referua “paradoksit” të luftës në Ukrainë , duke thënë që sa më shumë aleanca ushtarake perëndimore të angazhohet për luftën, aq më shpejt do të arrihet një zgjidhje.

Stoltenberg u kërkoi anëtarëve europianë të NATO-s të rritin angazhimet e tyre mes frikës se burimet e SHBA-së mund të shkurtohen, apo edhe të ndalen, nëse Donald Trump fiton zgjedhjet e nëntorit.

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, ai theksoi se “sa më e fortë të jetë mbështetja për Ukrainën, aq më shpejt lufta mund të përfundojë”.

“Paradoksi është se tani presidenti Putin mendon se mund të presë. Prandaj, lufta vazhdon.

Kur ne e themi shumë qartë se jemi këtu për një kohë të gjatë, se kemi mbështetje të fortë dhe të qëndrueshme për Ukrainën, atëherë kemi kushtet për një zgjidhje, për një Ukrainë sovrane dhe të pavarur”, tha ai.

Komentet e Stoltenberg vijnë pasi Gjermania njoftoi se do të përgjysmonte ndihmën ushtarake për Ukrainën vitin e ardhshëm, nga 8 miliardë euro në rreth 4 miliardë euro.

Jens Stoltenberg arriti në përfundimin se “NATO është aleanca më e suksesshme në histori, sepse, pavarësisht dallimeve tona, ne kemi qenë gjithmonë në gjendje të bashkohemi rreth vlerave tona thelbësore: të mbrojmë njëri-tjetrin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat