“Rusia është shumë e zemëruar”/ Paralajmëron komandanti suprem i NATO: Do kemi probleme me Moskën
SHBA dhe Evropa do të kenë një “problem shumë, shumë të madh me Rusinë”, pavarësisht se si përfundon lufta në Ukrainë. Ky është paralajmërimi i komandantit suprem të aleatëve të NATO-s Christopher Cavoli. Duke folur në Forumin e Sigurisë në Aspen, Kolorado, gjenerali amerikan tha se një fitore e Ukrainës do të ishte vetëm fillimi i përpjekjeve perëndimore për të frenuar agresionin rus.
“Rezultati në terren është tmerrësisht, tmerrësisht i rëndësishëm, por ne nuk mund të kemi asnjë iluzion. Në fund të një konflikti në Ukrainë, sido që të përfundojë, ne do të kemi një problem shumë, shumë të madh me Rusinë. Ne do të kemi një situatë ku Rusia po rikonstituon forcën e saj, është e vendosur në kufijtë e NATO-s, do të udhëhiqet nga të njëjtët njerëz siç është tani, është e bindur se ne jemi kundërshtari dhe është shumë, shumë e zemëruar”, tha komandanti Suprem i NATO, Christopher Cavoli.
Duke folur në të njëjtin forum, këshilltari për politikën e jashtme dhe të sigurisë të kancelarit gjerman Olaf Scholz dha një tjetër vlerësim të zymtë, duke thënë se “me zgjedhjen e Vladimir Putinit, ne po hyjmë në një fazë të një konflikti të gjatë me Rusinë“.
“Manifestimi i saj më i përgjakshëm, për momentin, është lufta në Ukrainë. Por padyshim, nuk është e vetmja. Ne kemi parë aktivitet hibrid në të gjithë Evropën. Ne kemi parë aktivitet hibrid në Shtetet e Bashkuara. Ne kemi parë Rusinë të shtrihet në Afrikë. Ne kemi parë Rusinë duke forcuar lidhjet me Teheranin ose, edhe më keq, me Phenianin”, tha Jens Plotner, Këshilltar për Politikën e Jashtme të Olaf Scholz.
Paralajmërimet vijnë pasi shqetësimet për angazhimin afatgjatë të SHBA-së ndaj Ukrainës vazhdojnë të rriten.
Ish-presidenti i SHBA-së dhe kandidati republikan, Donald Trump ka premtuar vazhdimisht se do t’i japë fund luftës në shkallë të plotë të Rusisë kundër Ukrainës brenda 24 orëve nëse zgjidhet, por nuk ka elaboruar publikisht se si planifikon ta bëjë këtë. Një plan thuhet se përfshin dhënien e një pjese të territorit Rusisë.