Një samit politik evropian shumë britanik

Evropë

Një samit politik evropian shumë britanik

Më: 18 korrik 2024 Në ora: 11:28
Pallati Blenheim ku do të qëndrojnë udhëheqësit gjatë Samitit të Bashkësisë Politike Evropiane. Fotografi nga arkivi.

Një javë pas takimit të NATO-s në Uashington zhvillohet edhe një tjetër mbledhje e liderëve. Kësaj radhe është Samiti i Bashkësisë Politike Evropiane - një grupim i udhëheqësve të pothuajse të gjitha vendeve evropiane, me përjashtim të Bjellorusisë dhe Rusisë.

Samiti zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar të enjten (18 korrik).

Udhëheqësit do të qëndrojnë në Pallatin Blenheim në Oksfordshër, që është vendlindja e kryeministrit legjendar britanik, Winston Churchill, jo shumë larg Londrës.

Ndoshta, fokusi më i madh do të jetë te njëri prej pasardhësve të tij, lideri i sapozgjedhur i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

Si mikpritës i samitit, ai do ta bëjë përpjekjen e tij të parë reale për ta riorientuar vendin e tij drejt Evropës në përgjithësi dhe Bashkimit Evropian në veçanti. Tetë vjet më parë, Britania ka mbajtur një referendum që ka çuar në daljen e këtij vendi nga BE-ja.

Ndërsa pjesa më e madhe e planifikimit dhe përgatitjeve për samitin u zhvillua nën Qeverinë e mëparshme konservatore, Brukseli vuri në dukje se zgjedhjet e përgjithshme në Britani, që u mbajtën në fillim të qershorit, nuk e penguan organizimin.

Zyrtarët në BE, në përgjithësi, janë të ngazëllyer me Starmerin, i cili është kryeministri i parë laburist që nga Gordon Brown në vitin 2010.

Ata i shpërfaqen përshtypjet përgjithësisht entuziaste në margjinat e samitit të fundit të NATO-s në Uashington, dhe shkëmbimet e para i cilësuan si “pozitive”.

“Gjithçka ka qenë mirë deri tani. Tani duhet të kalojmë në përmbajtje”, tha një zyrtar i lartë i BE-së në një konferencë për media.

Tash për tash, ekziston një ndjenjë se Britania dhe BE-ja kanë nevojë për një afrim politik. Lufta e vazhdueshme në Ukrainë është një arsye për këtë, por edhe perspektiva e një presidence tjetër të Donald Trumpit përtej Atlantikut.

Sa i përket samitit të Blenheimit, nuk mund të pritet ndonjë arritje e madhe, por një pakt më i përmirësuar i sigurisë mes BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, mund të parashikohet. Ndoshta edhe një marrëdhënie më e fortë tregtare, e ndoshta edhe rritje e ndërveprimit mes dy entiteteve.

E, së shpejti, mund të zhvillohet edhe një samit BE-Mbretëri e Bashkuar për adresimin e disa prej këtyre gjërave.

Çfarë në lidhje me Bashkësinë Politike Evropiane?

Deri më tani duket se do të paraqiten rreth 45 udhëheqës, përfshirë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Nuk duhet pritur shumë sa i përket përmbajtjes dhe rezultateve - Bashkësia Politike Evropiane nuk ka qenë kurrë e madhe në ato lloje gjërash.

Ideja e Emmanuel Macronit në vitin 2022 - menjëherë pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës - ka pasur për qëllim ta përafrojë politikisht pjesën tjetër të Evropës.

Kjo do të thotë që udhëheqësit të mblidhen dy herë në vit, ndërsa mikpritësi të jetë me rotacion mes vendeve anëtare të BE-së dhe atyre joanëtare të BE-së. Dhe, duket se liderët e pëlqejnë këtë.

Kjo, sepse samiti është mjaft i shkurtër - ata takohen vetëm për gjysmë dite apo më shumë. Pastaj, organizohet në vende spektakolare.

Dy vjet më parë, takimi inaugurues u zhvillua në kështjellën monumentale të Pragës. Pastaj, pranë një verarie në Kishinjev. Herën tjetër në Granadë, ku drejtuesit darkuan në Alhambra. Dhe tani, në një vend klasik britanik.

Ambiente jo të këqija për “takime të shpejta politike”, në struktura shumë më pak formale në krahasim me organet e tjera të ngjashme, si Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja.

Çfarë ka në meny?

Nisin me një seancë plenare hyrëse, një fotografi familjare, disa tryeza tematike dhe më pas një tryezë të rrumbullakët mbyllëse - të gjitha për pesë orë.

Po ashtu, do të ketë kohë edhe për takime të ndryshme dypalëshe, përpara se të marrin pjesë në një pritje të organizuar nga Mbreti Charles III.

Tryezat e rrumbullakëta do të trajtojnë tri tema specifike: mbrojtjen e demokracive (që do të thotë koordinim në luftimin e ndërhyrjeve të huaja në gjëra të tilla si proceset zgjedhore), migracionin (veçanërisht bashkëpunimin në trajtimin e “migracionit të parregullt” dhe krijimin e rrugëve ligjore për të hyrë në Evropë) dhe lidhjen energjetike.

Macron dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, do të bashkëkryesojnë tryezën për mbrojtjen e demokracive, e cila është aq e popullarizuar, saqë për të njëjtën temë do të mblidhet edhe një grup i dytë, i bashkëkryesuar nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të jenë nikoqirë të tryezës për migracionin. Këto dy vende arritën së voni një marrëveshje shumë të kritikuar, në bazë të së cilës Shqipëria do t’i strehojë migrantët e kapur nga anijet italiane në det.

Përveç fotografive indikative se kush me kë flet, një sy ia vlen të mbahet edhe te disa takime të mundshme dypalëshe.

Ka qenë një samit i Bashkësisë Politike Evropiane, ku BE-ja, nën Michelin dhe Macronin, ka bërë përpjekje të arrijë një marrëveshje paqeje midis udhëheqësve të Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Bisedimet që më pas kanë vazhduar në Bruksel, për ca kohë nuk kanë qenë vërtet të suksesshme. Por, ka shanse që Michel të provojë edhe një herë në Blenheim, përpara se ta përfundojë mandatin e tij aktual në fund të vitit.

Një zyrtar i BE-së, në dijeni për këtë çështje, tha se ka kontakte, por se formati do të varet nga ajo që është më e favorshme dhe më e përshtatshme.

Dhe, pastaj, do të vijë samiti tjetër i Bashkësisë Politike Evropiane. Do të zhvillohet më 7 nëntor, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Deri më tani, marrëveshja është që ai samit të mbahet në Hungari, me mikpritës zyrtar kryeministrin e këtij vendi, Viktor Orban. Por, udhëtimet e tij të fundit në Moskë dhe në Pekin i kanë zemëruar aq shumë anëtarët e tjerë të BE-së, saqë ata mund të mos dërgojnë më ministra në ngjarje të ndryshme të lidhura me BE-në, që do të mbahen në Hungari.

BE-ja distancohet përsëri nga Orbani, pas pjesëmarrjes së tij në samitin e vendeve turkfolëse

Bashkësia Politike Evropiane nuk është organ i BE-së dhe, deri më tani, nuk ka pasur thirrje të hapura për ndryshimin e vendit se ku do të mbahet samiti.

Por, a do të mund ta shijojnë udhëheqësit e tjerë një tubim të madh në Budapest, nëse ata i pret një Orban i gëzuar nga fitorja e mundshme e Trumpit?/REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat