Ushqimi për kafshët shtëpiake i rritur në laborator do të dalë në raftet e Mbretërisë së Bashkuar pasi Britania bëhet vendi i parë në Evropë që miraton mishin e kultivuar.
Agjencia për Shëndetin e Kafshëve dhe Bimëve dhe Departamenti i Mjedisit, Ushqimit dhe Çështjeve Rurale kanë miratuar produktin nga kompania Meatly.
Mendohet se do të ketë kërkesë për ushqim të kultivuar për kafshët shtëpiake, pasi adhuruesit e kafshëve përballen me një dilemë për të ushqyer kafshët e tyre me mish nga bagëtia e therur.
Hulumtimet sugjerojnë se industria e ushqimit për kafshët shtëpiake ka një ndikim klimatik të ngjashëm me atë të Filipineve, vendi i 13-të më i populluar në botë. Një studim nga Universiteti i Ëinchester zbuloi se 50% e pronarëve të kafshëve shtëpiake të anketuara do t'i ushqenin kafshët e tyre me mish të kultivuar, ndërsa 32% do ta hanin edhe vetë.
Produkti i mishit është pula e kultivuar. Është bërë duke marrë një mostër të vogël nga një vezë pule, duke e kultivuar atë me vitamina dhe aminoacide në një laborator, pastaj duke rritur qelizat në një enë të ngjashme me ato në të cilat fermentohet birra.
Fabrika e prodhimit Meatly është miratuar nga qeveria për të trajtuar pulën e saj të kultivuar dhe planifikon të lançojë mostrat e para të ushqimit për kafshët shtëpiake të disponueshme në treg këtë vit. Kompania thotë se më pas do të fokusohet në uljen e kostos dhe fillimin e shkallës së prodhimit për të arritur vëllimet industriale brenda tre viteve të ardhshme. Ulja e kostos mund të bëhet duke përzier mishin me perime, siç bëhet me ushqimet e tjera për kafshët shtëpiake që përmbajnë produkte të kushtueshme shtazore.
Ajo ka mbledhur 3.5 milionë funte nga investitorët deri më tani dhe pret të mbledhë 5 milionë funte në raundin e ardhshëm të mbledhjes së fondeve.
Qeveria e mëparshme e Mbretërisë së Bashkuar kishte kërkuar ndjekjen e shpejtë të miratimit të mishit të kultivuar për konsum njerëzor. Agjencia e Standardeve të Ushqimit ka thënë se po përpiqet të gjejë një mënyrë për të anashkaluar procesin e gjatë të rregullimit të një produkti ushqimor dhe nxjerrjes së tij në treg, diçka që qeveria konservatore po e kërkonte si një “përfitim nga Brexit”.