Partia e Millosheviqit shënon 34-vjetorin, Vuçiq dhe Daçiç krenohen me të kaluarën e saj

Evropë

Partia e Millosheviqit shënon 34-vjetorin, Vuçiq dhe Daçiç krenohen me të kaluarën e saj

Më: 16 korrik 2024 Në ora: 20:38
Aleksander Vuçiq dhe Ivica Daçiq

Të gjithë krerët shtetërorë të Serbisë u bënë bashkë për ta të festuar 34-vjetorin e Partisë Socialiste Serbe.

Presidenti i parë i kësaj partie ishte ish-diktatori serb i njohur ndryshe si kasapi i Ballkanit, Slobodan Millosheviq.

Ishte pikërisht Millosheviq si udhëheqës i kësaj partie që nisi katër luftëra në ish-Jugosllavi.

Mirëpo, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ju tha pranishmëve se duhet të ndjehen krenar me të kaluarën e partisë.

“Dua t’ju përgëzoj për 34 vjetët e ekzistencës tuaj, punën e palodhur dhe suksesin që keni arritur në këto 34 vjet në qiellin politik të Serbisë. Ju keni diçka për të cilën të jeni krenarë në të kaluarën tuaj, shpresoj se do të keni shumë më tepër për të qenë krenarë për punën tuaj në të ardhmen”, tha Vuçiq.

Krenar me të arriturat e kësaj partie u shpreh edhe kryetari aktual, Ivica Daçiç.

“Ky është thelbi i të gjitha ditëve që kemi pasur në këto 34 vite, sepse historia e Partisë Socialiste të Serbisë është edhe historia e Serbisë, sepse kemi kaluar çdo problem shtetëror dhe kombëtar që shoqëria, vendi ynë dhe populli ynë kaluan gjithë këto dekada”, u shpreh Daçiç.

Por, politikani serb Çedomir Stojkoviq, thotë se kjo parti është përgjegjëse për shkatërrimin e Serbisë përgjatë historisë.

“Kontributi i kësaj partie ne historinë e Serbisë është i madh. Ata janë direkt përgjegjës për luftërat, sanksionet, bombardimet, vrasjet, krimet e luftës dhe gjenocidin. Ata janë përgjegjës për shkatërrimin e ekonomisë së Serbisë dhe infrastrukturën e vendit. Partia Socialiste e ka izoluar për një kohë të gjatë Serbisë nga vendet e civilizuar dhe ka nxitur urrejtje te madhe ndaj shteteve të fqinje”, tha ai.

Tutje Stojkoviq thotë se liderët aktualë të kësaj partie përfshirë Ivica Daçiçin asnjëherë nuk janë distancuar nga politikat kriminale të Slobodan Millosheviqit.

“Ata asnjëherë nuk janë distancuar nga politikat e Millosheviqit, përkundrazi ata mblidhen ta kujtojnë atë dhe për më tepër festojnë ditëlindjet e tij. E shohin Millosheviqin si një lider historik, andaj ata të vazhdojnë të jenë krejtësisht të njëjtë”, shtoi ai.

Ivica Daçiq ka udhëhequr Partinë Socialiste Serbe që nga viti 2006.  Ai tani është i ngarkuar me postin e ministrit të brendshëm të Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat