Bombardimet ruse në Ukrainë vranë katër persona të shtunën, thanë zyrtarët. Një sulm ukrainas me dron i vuri flakën një depoje karburanti rus, ndërsa të dy vendet shkëmbyen sulme me dronë.
Dy persona humbën jetën në rajonin pjesërisht të pushtuar të Kherson-it në Ukrainë dhe dy të tjerë u plagosën në sulmin pranë kryeqytetit rajonal, tha guvernatori Oleksandr Prokudin.
Dy persona të tjerë vdiqën të shtunën pasdite dhe 22 të tjerë u plagosën në rajonin verilindor ukrainas të Kharkiv-it, sipas guvernatorit Oleh Syniehubov.
Një sulm ukrainas me dron, thellë brenda rajonit rus të Rostov-it, goditi një depo karburanti në orët e para të ditës së shtunë, sulmi i fundit me rreze të gjatë veprimi nga Kievi në një rajon kufitar.
Muajt e fundit Ukraina ka shtuar sulmet ajrore brenda territorit rus, duke goditur rafineritë dhe terminalet e naftës, në përpjekje për të ngadalësuar makinerinë luftarake të Kremlinit.
Ushtria ruse po përpiqet të përparojë përgjatë vijës së frontit në pjesën lindore të Ukrainës, ndërsa mungesa e trupave dhe armatimeve e ka dobësuar mbrojtjen ukrainase.
Guvernatori i Rostov-it, Vasily Golubev, tha se sulmi ukrainas me dron shkaktoi zjarr në një sipërfaqe prej rreth 200 metra katrorë, por nuk pati viktima. Rreth pesë orë më vonë ai njoftoi në rrjetin Telegram se zjarri ishte shuar. Rusia njoftoi se rrezoi gjatë natës dy dronë ukrainas në rajonet Kursk dhe Belgorod. Forcat ukrainase thanë se eliminuan katër dronë rusë gjatë natës ndërsa një tjetër u largua drejt territorit të Bjellorusisë./VOA