Kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve, Dainjel Zhivkoviq, ka thënë se partia e tij ishte në dijeni të detajeve të informacionit se ishte duke u përgatitur një atentat ndaj ish-presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Zhivkoviq tha se autoritetet shtetërore malazeze mund të thonë më shumë në lidhje me këtë ngjarje, pasi sipas tij, nuk i takon partisë së tij t’i komentojë gjetjet.
“Jemi njohur me detajet, e dimë se për çfarë i referohet. Besoj gjithashtu se autoritetet shtetërore do të mund të thonë më shumë. Nuk na takon neve t’i komentojmë ato detaje dhe t’i komunikojmë gjetjet tona. Ne besojmë se Agjencia Kombëtare e Sigurisë dhe autoritetet e tjera shtetërore do të dalin me informacione të sakta”, tha Zhivkoviç në konferencën për shtyp, shkruan Vijesti.
Mediumi malazez “Vijesti”, ka bërë të ditur se një burim i afërt me ish-presidentin Gjukanoviq ishte njoftuar se ndaj tij po planifikohej një atentat nga një vend fqinj në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë së një vendi tjetër fqinj.
Sipas “Vijesti”, Gjukanoviqi ishte njoftuar nga një zyrtar i lartë ushtarak i huaj në Kosovë.