Parlamenti i Finlandës miratoi sot ligjin e diskutueshëm që u jep rojeve kufitare fuqinë për të kthyer azilkërkuesit që kalojnë nga Rusia.
Në votimin vendimtar, 167 përfaqësues votuan për miratimin urgjent të legjislacionit, të cilin kryeministri Petteri Orpo e quajti "super shumicë" në një konferencë për shtyp në Helsinki. Sipas transmetuesit kombëtar Yle, 31 anëtarë votuan kundër projektligjit.
Legjislacioni u lejon autoriteteve kufitare të vendit nordik të refuzojnë kërkesat për azil në rrethana të caktuara në pikat kufitare të Finlandës nga Rusia. Tani me ligj, emigrantët mund të largohen pa të drejtë ankese.
Orpo theksoi se ligji i miratuar dërgon një "mesazh të fortë për Rusinë" dhe se vendimi flet për kujdesin e Finlandës për kufijtë dhe sigurinë e saj.
Në fillim të këtij muaji, mbi 200 studiues nga universitete të ndryshme në Finlandë dhe jashtë saj nënshkruan një peticion duke i bërë thirrje komitetit të administrimit të parlamentit të refuzojë një projektligj të diskutueshëm për dëbimin.
Studiuesit argumentojnë se qeveria finlandeze nuk ka arritur të provojë se një rritje në numrin e azilkërkuesve do të përfaqësonte një kërcënim sigurie për Finlandën. Peticioni argumentoi se numri i njerëzve që kërkonin azil në Finlandë vitin e kaluar ishte brenda niveleve normale, njofton Yle.
Kritikët thonë se vënia në fuqi e ligjit të dëbimit bie ndesh me kushtetutën finlandeze si dhe me disa traktate ndërkombëtare që Finlanda ka nënshkruar. Por sipas Orpo, qeveria "u sigurua që Finlanda të jetë ende një shtet ligjor". Ai theksoi rëndësinë e gjetjes së një "zgjidhjeje evropiane" për situatën.