Shkon në 3 numri i të vdekurve në Llozanë, ankth për punëtorë që mund të kenë mbetur nën rrënojat e fasadës e skelave

Evropë

Shkon në 3 numri i të vdekurve në Llozanë, ankth për punëtorë që mund të kenë mbetur nën rrënojat e fasadës e skelave

Më: 12 korrik 2024 Në ora: 16:32
Foto nga vendi i ngjarjes

Numri i personave të vdekur pas tragjedisë së ndodhur sot në periferi të Llozanës, ku është rrëzuar fasada e një objekti 19 katesh, ka shkuar në tre, ndërsa i të lënduarve në 10. Katër prej punëtorëve janë të lënduar rëndë dhe gjithsejtë gjashtë persona janë dërguar me helikopter në Spitalin Universitar të Gjenevës. Të vdekurit dhe plagosurit janë punëtorë të kantierit.

Kërkimi për persona të tjerë që kanë mundur të mbesin nën rrënoja vazhdon, derisa kushtet atmosferike të parashikuara pritet ta vështirësojnë kërkimin. Mediumi 20minuten.ch shkruan se zona përreth ndërtesës është e mbyllur meqë mund të ketë një shembje tjetër të skelave.

 Dëshmitarët që kanë qenë afër zonës ku ka ndodhur tragjedia, thonë se kanë dëgjuar zhurmë shurdhuese e cila ka zgjatur të paktën dhjetë sekonda.

Të afërmit e punëtorëve që kanë qenë pjesë e kantierit të ndërtimit kanë frikë për të dashurit e tyre. 20minuten.ch shkruan se si disa të afërm janë të shqetësuar për të afërmit e tyre që kanë qenë duke punuar në kantier.

 “Është e frikshme të imagjinosh që dikush nga familja është i shtrirë nën rrënoja”, ka thënë Sara për 20minuten.ch.

Një punëtor tjetër thotë se punëtorët e ndërtimit duhet t’i dërgojnë mesazhe njëri-tjetrit për të zbuluar se kush përgjigjet dhe kush jo.

Zjarrfikësit po vazhdojnë të kërkojnë nën rrënojat për të gjetur njerëz që mund të jenë të bllokuar poshtë. Sipas dëshmitarëve në vend, një dron i zjarrfikësve është gjithashtu në përdorim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat