Rusia shton trysninë ndaj gazetarëve të huaj

Evropë

Rusia shton trysninë ndaj gazetarëve të huaj

Më: 23 qershor 2024 Në ora: 18:37
Foto ilustrim

Që kur filloi sulmin në Ukrainë, Kremlini ka bërë fushata shtypjeje ndaj gazetarëve vendas dhe të huaj. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina, ndër taktikat e përdorura janë frikësimi, kërcënimet, dëbimet dhe arrestimet.

Pas 12 vitesh si korrespondent në Rusi i gazetës spanjolle “El Mundo”, Xavier Colas është rikthyer në Madrid.

Që nga qershori, ai është korrespondenti më i fundit i huaj që dëbohet nga qeveria ruse.

“Gazetarëve të huaj u janë vënë sanksione. Kemi patur viza tre-mujore, në vend të vizave të mëparshme njëvjeçare. Mua më kishin futur në një listë të zezë të personave viza e të cilëve të mos rinovohej dhe në këtë mënyrë të mos qëndroja dot më në Federatën Ruse”, i tha Zërit të Amerikës zoti Colas.

Moska pretendon se këto nuk janë dëbime. Në rastin e gazetarit Xavier Colas, ashtu siç vepruan me gazetarë të tjerë, zyrtarët rusë thanë se shkak për refuzimin e vizës ishin gabimet në formularin e aplikimit.

Por në Rusinë e luftës, nuk ka vend për gazetari të lirë që nuk është pjesë e propagandës që Kremlini ka ngritur për atë që e quan “Operacion i Posaçëm Ushtarak” në Ukrainë.

Emmanuel Grynszpan, i gazetës franceze “Le Monde”, u dëbua në vitin 2019, për shkak të artikujve rreth Rusisë të drejtuar nga Vladimir Putini në periudhën përpara sulmit ushtarak. Që atëherë, ai monitoron situatën e komplikuar të kolegëve të tij brenda Rusisë.

“Është e pamundur që një gazetar rus të punojë i lirë. Thjesht të arrestojnë dhe të fusin në burg”, i tha Zërit të Amerikës zoti Grynszpan.

Për shumë gazetarë, trysnia është edhe më e madhe për shkak të ligjit të ri rus për “agjentët e huaj”.

Analistët thonë se Kremlini e përdor këtë ligj kundër kritikëve, disa prej të cilëve rrezikojnë të burgosen.

Gazetarja amerikano-ruse Alsu Kurmasheva mbahet në burg prej tetë muajsh për shkak se nuk u regjistrua si agjente e huaj. Gazetarja e rrjetit simotër të Zërit të Amerikës, “Radio Evropa e Lirë/Radio Liria” me seli në Pragë, mohon të ketë bërë ndonjë shkelje.

Zonja Kurmasheva është një nga dy gazetarët amerikanët që mbahen të burgosur nga Rusia.

Evan Gershkovich, i gazetës “The Wall Street Journal”, u arrestua në mars 2023. Autoritetet ruse e akuzojnë për spiunazh, diçka që familja, miqtë dhe kolegët e tij thonë se është thjesht një sajesë.

“Arrestimi i Evanit dhe dëbimi i gazetarëve të tjerë të huaj ka qenë kulmi i një procesi prej një dekade për frikësimin e gazetarëve në Rusi... Kjo është diçka me të cilën u është dashur të përballen gazetarët rusë përgjatë gjithë qëndrimit në pushtet të Putinit”, i tha Zërit të Amerikës, Drew Hinshaw, nga gazeta “The Wall Street Journal”.

Gazetarët e huaj në Rusi po bëhen gjithnjë e më të paktë dhe gazetarëve të pavarur rusë u mbeten vetëm dy opsione: të punojnë me rrezikshmëri të lartë në ilegalitet, ose të largohen në mërgim – një panoramë e errët kjo që nuk jep shenja për ndonjë ndryshim në të ardhmen e afërt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat