Kryeministri holandez Rutte pritet të emërohet sekretar i përgjithshëm i NATO-s

Evropë

Kryeministri holandez Rutte pritet të emërohet sekretar i përgjithshëm i NATO-s

Më: 20 qershor 2024 Në ora: 18:51
Kryeministri holandez Mark Rutte/AP

Presidenti rumun Klaus Iohannis njoftoi të enjten se po e tërheq kandidaturën e tij për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, duke i hapur rrugën Kryeministrit të Holandës Mark Rutte që të marrë drejtimin e aleancës ushtarake.

Rumania do të përkrahë zotin Rutte dhe do të japë Ukrainës njërin nga dy sistemet e saj të mbrojtës raketore “Patriot” me kusht që aleatët ta zëvendësojnë atë me një sistem të ngjashëm, njoftoi Këshilli i Lartë i Mbrojtjes i Rumanisë, CSAT, që drejtohet nga Presidenti Iohannis.

Vendimi për t’i dhënë Ukrainës sistemin ‘Patriot’ u mor “duke patur parasysh përshkallëzimin e dukshëm të situatës së sigurisë në Ukrainë pas sulmeve të vazhdueshme nga Rusia ndaj civilëve dhe infrastrukturës si dhe… për shkak të pasojave ndaj rajonit, përfshirë ndaj sigurisë së Rumanisë,” thuhet në deklaratën e Këshillit.

Presidenti Iohannis, sipas kësaj deklarate, ka njoftuar NATO-n për tërheqjen e kandidaturës javën e kaluar.

NATO-ja i merr vendimet në bazë të konsensusit dhe çdo kandidati i duhet përkrahja e 32 shteteve aleate. Vetëm Rumania zyrtarisht ende e kundërshtonte kandidaturën e zotit Rutte.

Që nga dita e martë kur Hungaria dhe Sllovakia hoqën dorë nga kundërshtimi i tyre, u bë e qartë që Kryeministri Rutte, një mbështetës i fortë i Kievit dhe kritik i Presidentit rus Vladimir Putin, do të jetë shefi i ri i NATO-s.

Sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s do të përballet me sfidën e ruajtjes së përkrahjes së aleatëve për luftën e Ukrainës ndaj sulmit rus ndërkohë që përkujdeset për t’iu shmangur përshkallëzimeve që mund ta përfshijnë aleancën ushtarake në një luftë të drejtpërdrejtë me Moskën.

Zoti Iohannis, i cili e përfundon mandatin e tij të dytë si President i Rumanisë gjatë këtij viti, vazhdimisht ka thënë se shtetet e Evropës Lindore kanë nevojë për një përfaqësim më të mirë në rolet udhëheqëse të aleancës euroatlantike.

Sipas Bashkimin Evropian dhe NATO-s, Rumania ka rritur shpenzimet buxhetore për mbrojtje në 2.5 për qind të prodhimit të saj bruto pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Në vitin 2017, Rumania nënshkroi një marrëveshje prej 4 miliardë dollarësh për të blerë sistemin ‘Patriot’, që përbën kontratën më të madhe në historinë e shtetit. Pjesa e parë e këtij sistemi mbrojtës u dërgua në Rumani në vitin 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat