Shpërthimi në Cetinje, pasojë e krimit të organizuar

Evropë

Shpërthimi në Cetinje, pasojë e krimit të organizuar

Më: 20 qershor 2024 Në ora: 18:47
Trupi i pajetë i një personi të vrarë shihet i mbuluar pranë vendit ku ndodhi shpërthimi në Cetinje më 20 qershor 2024.

Si pasojë e aktivizimit të një pajisjeje shpërthyese në Cetinje të Malit të Zi, janë vrarë dy persona dhe tre të tjerë janë plagosur, bëri të ditur policia më 20 qershor.

Drejtori i Policisë së Malit të Zi, Aleksandar Radoviq, ka konfirmuar se viktimat e këtij shpërthimi, Petar Kalugjeroviq dhe Dragan Roganoviq, ishin anëtarë të grupeve të organizuara kriminale.

Ndihmësi i Radoviqit, Lazar Shqepanoviq, u tha gazetarëve se autorët e sulmit “ndoqën zakonet e viktimave” dhe se ata e dinin se po përdornin makina të blinduara.

“Ata e vendosën një eksploziv të improvizuar në një pemë në një lartësi prej shtatë metrave... e cila u aktivizua nga një distancë e caktuar me telekomandë në duart e katër personave që po hynin në Qendrën Sportive”, tha ai.

Kalugjeroviq vdiq në vend, ndërsa Roganoviq vdiq në një spital në Cetinje.

Një nga tre të plagosurit, Taso Jovanoviq, 46 vjeç, u transferua në Qendrën Klinike në Podgoricë, ndërkaq Desanka Vujoviq dhe Mihailo Borozan po trajtohen në spitalin në Cetinje.

Autoritetet shëndetësore në Mal të Zi njoftuan se të gjithë të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.

“Kishin informata se kjo mund të ndodhte”

Drejtori i Policisë së Malit të Zi, Aleksandar Radoviq, tha se lufta ndaj grupeve kriminale është duke vazhduar.

"Ne kishim informata se kjo mund të ndodhte. Fatkeqësisht, ndodhi”, tha Radoviq.

Ai tha se lufta kundër krimit “nuk është dhe nuk do të jetë e lehtë, por se do të fitojë shteti, jo krimi”.

Duke folur për sulmin, Shqepanoviq theksoi se dyshohet se shpërthimi ishte hakmarrje nga një grup kriminal kundërshtar.

Shpërthimi ndodhi pas orës 09:00 të 20 qershorit në hyrje të Qendrës së Sportit, që gjendet afër një shkolle fillore dhe një stacioni të autobusëve.

"Zyrtarët e Drejtorisë së Policisë, në koodinim me Zyrën e Prokurorit të Shtetit në Podgoricë po ndërmarrin masa dhe veprime intensive, për të cilat publiku do të informohet", njoftoi policia.

Një numër i madh i zyrtarëve policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe autoritetet kanë nisur hetimet për këtë shpërthim.

Për shkak të fuqisë së shpërthimit, xhamat në ndërtesën e Qendrës së Sportit janë thyer dhe një pemë është rrëzuar, raportoi RTV Cetinje.

Njëzetvjeçari i vrarë, Petar Kallugjeroviq, u arrestua në prill të këtij viti bashkë me tre persona të tjerë - njëri prej të cilëve, Mihajllo Borozan, u plagos sot - për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve dhe mjeteve shpërthyese. Atëkohë, gjyqtari hetues urdhëroi ndalimin e tyre.

Pas arrestimit të Borozanit dhe Kallugjeroviqit, policia njoftoi se zyrtarët e saj kanë bastisur disa objekte në Cetinje, që “shfrytëzoheshin nga anëtarë të grupeve të organizuara kriminale, si dhe persona me interes për sigurinë dhe të tjerë të lidhur me ta”.

Personi i dyte i vrarë, Dragan Roganoviq, u plagos në dhjetor të vitit 2017 në Cetinje. Ai u qëllua me automatik teksa dilte nga makina.

Roganoviq ishte truproje e Goran Radomanit, i cili u vra në Beograd në shkurt të vitit 2015.

Ai konsiderohet si viktima e parë në luftën mes klaneve Shkalari dhe Kavaç.

Këto dy klane veprojnë në Mal të Zi prej vitesh.

Ato janë në luftë që nga viti 2014, kur në Valencia u zhdukën rreth 250 kilogramë kokainë.

Lufta e tyre për epërsi, e cila u zhvillua në Mal të Zi, në vendet e rajonit dhe të Evropës, ka marrë deri më tani më shumë se 60 jetë njerëzish.

I plagosuri Taso Jovanoviq, në vitin 2015, dyshohej se kishte tentuar të vriste Negjelko Peroviqin në Cetinje.

Tre vjet më vonë ai u përpoq sërish dhe e plagosi atë, ashtu si edhe personin që ishte me të.

Në vitin 2019, Jovanoviq, në marrëveshje me Prokurorinë e Lartë të Shtetit të Malit të Zi, pranoi se kishte qëlluar me armë dhe, rrjedhimisht, pranoi dënimin prej katër vjetësh e tetë muaj burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat