Sulmuesi me kaçavidë qëllohet për vdekje me armë nga policia në Francë

Evropë

Sulmuesi me kaçavidë qëllohet për vdekje me armë nga policia në Francë

Më: 19 qershor 2024 Në ora: 19:39
Francë

Një polic bashkiak ka qëlluar për vdekje sot një burrë që goditi me kaçavidë një pastrues dhe një tjetër oficer policie në Aubervilliers në veri të Parisit.

Ndërsa të njohur të viktimës thanë për mediat se në kohën kur u vra, francezi me origjinë afrikane nuk ishte i armatosur.

Sulmuesi 47 vjeçar  që jetonte në zonë, u qëllua fatalisht në gjoks nga oficeri i policisë bashkiake.

Prokurori Eric Mathais, tha se policia u thirr në vendngjarje mëngjesin e sotëm në 8:20 pasi burri kishte goditur disa herë me kaçavidë një punonjës pastrimi, dhe më pas dhe një punonjës policie që kishte ndërhyrë në ngjarje.

Dëshmitarët e ngjarjes shokuese thonin se sulmuesi kishte goditur oficerin e policise nga jashtë dritares së automjetit dhe e kishte plagosur në krah.

Në rrethana që janë ende duke u hetuar, polici bashkiak që ishte me dy kolegë qëlloi në drejtim të autorit të ngjarjes duke e goditur në gjoks.

Dy të plagosurit kanë dalë tashmë nga spitali, specifikonte prokurori Eric Mathais dhe hetimet vijojnë në disa pista.

Oficeri është ndaluar paraprakisht për dhunë “me rezultat vdekjen e një personi”.

Dhjetra oficerë shiheshin sot pranë trupit të viktimës që ishte mbuluar me një mushama të bardhë.

Para shiritit ndarës të policisë ishin mbledhur dhjetra anëtarë të komunitetit lokal nga Bregu i Fildishtë, të cilit i përkiste dhe viktima.

Disa prej tyre shpreheshin të shokuar nga lajmi, duke thënë se ‘Yaya’ jetonte prej njëzet vitesh në Francë dhe nuk ishte treguar kurrë agresiv.

“Ai ishte një vëllai ynë, ishte i sëmurë. Kur e vranë nuk ishte i armatosur,” tha Abdou Marico, duke denoncuar “vrasjen”.

Ata shtonin se burri prej disa vitesh jetonte në makinën e tij të cilën e parkonte në një rrugë të qetë, por kohët e fundit ishte përzënë nga bashkia.

“Prej disa ditësh nuk ishte mirë, nuk kishte ku të flinte, ne i thamë se do t’i gjejmë një makinë tjetër”, tha një i afërm i viktimës për rrjetin AFP i cili dëshironte të mbetej anonim.

Të tjerë anëtarë të komunitetit denonconin përdorimin e armës së zjarrit ndaj një personi me kaçavidë.

“Ne e dënojmë këtë akt dramatik dhune kundër atyre që kujdesen për qytetin,” tha kryebashkiakia Karine Franclet, per rrjetin AFP.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat