Rekord i ri! Anglia “në dëshpërim”, brenda ditës 900 emigrantë nga deti

Evropë

Rekord i ri! Anglia “në dëshpërim”, brenda ditës 900 emigrantë nga deti

Më: 19 qershor 2024 Në ora: 14:39
Foto ilustrim

Më shumë se 880 emigrantë me 15 gomone e varka të vogla kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar brenda një dite të vetme përmes La Manshit, një rekord i ri ky që shton presionin mbi kryeministrin Rishi Sunak përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 4 korrikut, në një kohë kur çështja e emigracionit të paligjshëm është prej pikave më të nxehta të kësaj fushate.

Shifrat e fundit të Home Office përbëjnë totalin më të lartë ditor që nga tetori 2022, kur mbi 1.000 klandestinë hynë në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar brenda një dite.

Dhe kjo, pikërisht në një kohë kur qeveria e Sunak ka ndërmarrë masa njëra pas tjetrës me shpresën të frenojë fenomenin që mund t’i kushtojë shtrenjtë në zgjedhje. Në mesin e këtyre masave është edhe ndalimi i bërë emigrantëve që mbërrijnë në Britaninë e Madhe për të aplikuar atje për azil, ndërsa është diskutuar gjatë çështja e dëbimit në Ruanda, nismë kjo e cila ende nuk është vënë në zbatim.

Në mbi gjashtë vitet e fundit, gati 130 mijë emigrante kanë hyrë në Mbretërinë e Bashkuar përmes La Manshit. Home Office thotë se po “vazhdojnë të punojnë ngushtë me partnerët francezë për të parandaluar kalimet e paligjshme dhe për të shpëtuar jetë.” Shumë sondazhe opinione tregojnë se zgjedhjet e përgjithshme të 4 korrikut mund t`i japin fund 14 vitesh qeverisjeje të Partisë Konservatore në Angli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat