Sa vlen “perandoria e biznesit” – e sanksionuar nga SHBA – e Dodikut?

Evropë

Sa vlen “perandoria e biznesit” – e sanksionuar nga SHBA – e Dodikut?

Më: 19 qershor 2024 Në ora: 14:27
Millorad Dodik

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të martën zgjeruan listën e zezë të Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja – OFAC duke shtuar shtatë kompani të lidhura me familjen e presidentit të Republikës Srpska, Millorad Dodik.

Sipas mediave të huaja, bëhet fjalë për shtatë kompani të cilat vetëm vitin e kaluar, fituan 143,782,377 KM (rreth 73.513.547 euro) të pabesueshme dhe panë një fitim total prej 31,992,292 KM (16,357,399 euro).

Dhe nga shtatë kompanitë e sanksionuara, dallohet Prointer ITSS, e cila thuhet se njihet si “e preferuara e prokurimit publik”.

Vitin e kaluar, ajo raportoi të ardhura prej 79,967,153 KM (40,886,556 euro), dhe ajo ka regjistruar fitimin e kompanisë prej 25,528,240 KM (13,052,381 euro).

Këto shifra janë shënuar përkundër problemeve që janë shënuar për shkak të sanksioneve ndaj Milorad Dodik dhe familjes së tij.

Siç kujtojnë mediat, gjigantët e njohur botërorë si “Microsoft”, “IBM” dhe “SAP” kanë anuluar bashkëpunimin me Prointer.

Ndërsa siç thuhet në faqen zyrtare të kompanisë, e themeluar në vitin 2015, “ajo është bërë lider në transformimin dixhital në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ajo u ofron klientëve të tij zgjidhje inovative në fushën e teknologjive të informacionit dhe punon me ta për të arritur rezultate optimale të biznesit”.

E dyta në vlerë është “Kaldera Company”, një kompani e themeluar në vitin 1991 që operon si kompani prodhimi dhe shërbimi në sektorin e energjisë elektrike, thuhet më tej në shkrim.

Vitin e kaluar “Kaldera” ka pasur të ardhura prej 30,524,901 KM (15,607,134 euro) dhe ka realizuar një fitim neto prej 2,253,417 KM (1,152,153 euro).

Ndërkohë prej vitesh mediat shkruanin për lidhjet mes kompanisë “Sirius 2010” dhe anëtarëve të familjes së Milorad Dodik.

Mediat shkruajnë se kjo kompani është themeluese e “Zekstra”, një prej dy aksionerëve më të mëdhenj të dyqanit Boska në qendër të Banja Llukës.

Kompania, ndër të tjera, u gjend në fokusin e publikut në vitin 2017, kur u njoftua se Administrata Tatimore e Republikës Srpska deri në atë moment kishte paguar 10.1 milionë KM (rreth 5 milionë euro) për sistemin e integruar informativ të kompanisë.

Meqë ra fjala, “Sirius 2010” as atëherë nuk kishte një faqe interneti.

“Sirius 2010” realizoi të ardhura prej 17,718,313 KM (9,059,229 euro) dhe një fitim neto prej 2,171,109 KM (1,110,070) vitin e kaluar.

Të gjitha këto kompani janë të ndërlidhura dhe janë kryesisht në pronësi të grupit ombrellë “Infinity International Group”, i cili punëson 20 persona, sipas të dhënave të Company Wall.

E vitin e fundit janë realizuar të ardhura prej 4,728,012 KM (2,417,394 euro) dhe fitim neto prej 2,039,526 KM (1,042,793 euro).

Pjesë e grupit është edhe “Infinity media”, pronar i dy shtëpive mediatike, po ashtu të sanksionuara.

Ajo kompani kishte të ardhura prej 1,273,677 KM (651,220 euro), por shënoi një humbje totale në biznes prej 13,226 KM (6,762 euro).

Shkrimi i mediumit thekson edhe faktin se kompania më e re mediatike e lidhur me pronësinë e Dodikë-ve është Televizioni Una, i cili operon në kuadër të “Una world network” dhe transmeton programe në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Në vitin e fundit ajo nuk ka fitim të raportuar, ka shënuar minus në operacione prej 99,539 KM (50,893 euro) pavarësisht të ardhurave të realizuara prej 796,056 KM (407,016 euro).

Në fund të shkrimit thuhet se si pasojë e parë, kompanitë që janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të presin që llogaritë e tyre të mbyllen sa më shpejt të jetë e mundur.

Në këtë drejtim, siç shkruan Capital.ba, kompania “Prointer ITSS” ka deri tani më së shumti llogari me 30, e ndjekur nga “Kaldera Company” që ka 17, “Sirius 2010” që ka 13 llogari, “K-2 Audio Company” me “Una World” që ka nga shtatë, dhe “Infinity International” që ka pesë llogari. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat