Rusia dënon me burgim një ushtar amerikan

Evropë

Rusia dënon me burgim një ushtar amerikan

Më: 19 qershor 2024 Në ora: 11:10
Ushtari amerikan, Gordon Black, gjatë paraqitjes pranë një gjykate ruse më 6 qershor 2024.

Një gjykatë në Lindjen e Largët të Rusisë ka dënuar një ushtar të ushtrisë amerikane i cili raportohet se ka shkelur rregullat ushtarake kur ka udhëtuar në Rusi me të dashurën e tij ruse në maj. Ai u dënua me tre vjet e nëntë muaj burgim, nën supozimet se ka sulmuar dhe kërcënuar të dashurën e tij.

Ushtari 32-vjeçr, Gordon Black, i cili u deklarua i pafajshëm për akuzat para Gjykatës në qarkun e Pervomaiskit. Por, ai ka pranuar se e ka goditur gruan, e identifikuar si Aleksandra Vashchuk, pasi ai tha se ajo kur kishte qenë e dehur e kishte sulmuar atë dhe kishte tentuar që të parandalonte që të largohej.

Prokurorët rusë kishin kërkuar pothuajse pesë vjet burgim për Black.

Ai po ashtu është urdhëruar që t’i paguajë 115 dollarë Vashchukut për një rast të lidhur civil.

Avokati i ushtarit amerikan tha se klienti i tij është i pafajshëm dhe do të apelojë vendimin.

Autoritetet amerikane kanë thënë se Black udhëtoi për në Rusi përmes Kinës nga Koreja e Jugut – ku ai ishte caktuar të shërbente para se të kthehej në shtëpinë e tij në Teksas – pa informuar eprorët e tij.

Në kohën kur Black u arrestua në fillim të majit, autoritetet ruse raportuan se kanë arrestuar edhe një shtetas tjetër amerikan, të identifikuar si William Russell Nycum, nën akuzat për huliganizëm dhe alkool.

Arrestimet kanë ngritur dyshimet se autoritetet ruse po shënjestrojnë amerikanë për mundësinë që t’i përdorin në këmbimin e të burgosurve, përderisa Moska dhe Uashingtoni kanë përkeqësuar raportet për shkak të luftës në Ukrainë dhe për shkak të çështjeve të tjera të sigurisë ndërkombëtare.

Rusia ka arrestuar edhe shtetas të tjerë amerikanë që Uashingtoni insiston se po mbahen padrejtësisht në burgjet ruse, përfshirë gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, atë të Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe ish-marsin Paul Whelan.

Ministria e Jashtme e Rusisë insiston se rastet e Black dhe Nycum nuk janë politike.

Në shtator, Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim që u bënë thirrje amerikanëve të shmangin udhëtimin për në Rusi për shkak të ndalimit të qytetarëve amerikanë nga zyrtarët e sigurisë së Rusisë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat