SHBA sanksionon rrjetin që rriti pasurinë e Millorad Dodikut

Evropë

SHBA sanksionon rrjetin që rriti pasurinë e Millorad Dodikut

Më: 18 qershor 2024 Në ora: 16:45
Departamenti amerikan i Thesarit.

Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar të martën një rrjet prej dy individësh dhe shtatë entitetesh që është thënë se sigurojnë burime të mëdha të të ardhurave për presidentin e Republikës Sërpska të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik, i sanksionuar, po ashtu, nga SHBA-ja, dhe për familjen e tij.

“Dodik e ka shfrytëzuar pozitën zyrtare për të rritur pasurinë përmes kompanive të lidhura me të dhe Igor Dodikun”, është thënë në deklaratën e Departamentit amerikan të Thesarit.

Igor Dodik është djali i Millorad Dodikut.

Listës së të sanksionuarve u është shtuar Millenko Çiçiq dhe Gjorgje Gjuriq si dhe kompanitë: Infinity International Group, Infinity Media, K-2 Audio Services, Kaldera Company, Prointer Itss, Sirius 2010 dhe Una World Network.

“Shembull, më 2024, Igor dhe Dodik kanë përdorur ndikimin e tyre mbi disa zyrtarë të lartë të Bosnje-Hercegovinës për të manipuluar draftin e buxhetit shtetëror të Bosnjës, në mënyrë që një kontratë në nivel shtetëror ta fitonte Grupi Prointer ITSS, jashtë procesit konkurrues”, është thënë në njoftim.

Autoritetet amerikane kanë thënë se dënojnë përpjekjet e vazhdueshme të Dodikut për të gërryer institucionet që kanë garantuar paqe dhe stabilitet, në Bosnje-Hercegovinë dhe në rajon.

Ato, gjithashtu, kanë thënë se do të vazhdojnë të shpërfaqin skemat mashtruese që i kanë mundësuar Dodikut dhe familjes së tij që të shfrytëzojë njerëzit e vet për përfitime personale.

Kur shtohet dikush në listë të zezë?

Atëherë kur autoritetet amerikanë vlerësojnë se figura me ndikim në një shtet janë përfshirë në afera korruptive, keqpërdorim të pozitës, trafikim droge, përfshirje në krim të organizuar, kur dikush e kërcënon stabilitetin e rajonit të Ballkanit, apo përmes veprimeve të caktuara kërcënohet siguria kombëtare dhe politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara.

Si ndëshkohen të sanksionuarit?

U ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

U ngrihen pronat që i kanë në Shtetet e Bashkuara, ose që janë në pronësi të shtetasve amerikanë.

U ndalohet puna dhe kryerja e transaksioneve me shtetas amerikanë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat