Putini e vlerëson Korenë e Veriut që po e mbështet luftën në Ukrainë përpara nisjes për në Phenian

Evropë

Putini e vlerëson Korenë e Veriut që po e mbështet luftën në Ukrainë përpara nisjes për në Phenian

Më: 18 qershor 2024 Në ora: 15:27
Vladimir Putin

Vladimir Putin e ka lavdëruar Korenë e Veriut për mbështetjen e luftës së Rusisë në Ukrainë, ndërsa ai udhëton në Phenian për të kërkuar mbështetje të vazhdueshme ushtarake nga një prej kombeve më të izoluara në botë.

Në vizitën e tij të parë në Korenë e Veriut që nga viti 2000, Putin do të takohet me Kim Jong-un për bisedime kokë më kokë në Phenian, ndërsa të dy udhëheqësit zotohen ta zgjerojnë bashkëpunimin e tyre të sigurisë dhe ekonomike në kundërshtim me sanksionet perëndimore kundër të dy vendeve.

Putini pritet të mbërrijë në Korenë e Veriut të martën vonë, raportoi Agence France-Presse, me një numër të madh ministrash dhe këshilltarësh të qeverisë, duke përfshirë ata që janë përgjegjës për ushtrinë ruse dhe prokurimin e armëve

Në një artikull të shkruar për Agjencinë Qendrore të Lajmeve të Koresë të martën, Putin e vlerësoi Korenë e Veriut për “mbështetje të vendosur” në luftën e Moskës në Ukrainë, duke shkruar se ai planifikon t’i çojë marrëdhëniet me Phenianin në një nivel më të lartë, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.

Është një udhëtim i rrallë jashtë vendit për Putinin, i cili e ka kufizuar udhëtimin e tij ndërkombëtar në vendet mike që kur nisi pushtimin në shkallë të gjerë dhe u bë objekt i një urdhërarresti nga gjykata penale ndërkombëtare për dëbimin masiv të fëmijëve nga Ukraina në Rusi.

Koreja e Veriut e ka furnizuar Rusinë me miliona fishekë municionesh artilerie të epokës sovjetike për ta mbështetur fushatën ushtarake ruse në Ukrainë. Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, muajin e kaluar u tha ligjvënësve se furnizimet me municione dhe raketa, si dhe dronët iranianë, e kanë ndihmuar ushtrinë ruse “të ngrihej në këmbë”.

Koreja e Veriut i ka ofruar Rusisë edhe raketa balistike dhe pajisje elektronike të përdorura në luftë.

Në këmbim, Rusia besohet se ka ofruar ndihmë për programin satelitor të Koresë së Veriut, si dhe armë të tjera, ndihmë ekonomike dhe mbështetje diplomatike. Kim vizitoi Lindjen e Largët vitin e kaluar, duke e takuar Putinin në Vladivostok gjatë një udhëtimi ku ai vizitoi një fabrikë që prodhonte avionë luftarakë modernë dhe kozmodromin Vostochny.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat