Shpërthejnë reagimet në Serbi, mediat e Beogradit “skanojnë” vendimin e Vuçiqit, çfarë fshihet pas manovrës së fundit

Evropë

Shpërthejnë reagimet në Serbi, mediat e Beogradit “skanojnë” vendimin e Vuçiqit, çfarë fshihet pas manovrës së fundit

Më: 18 qershor 2024 Në ora: 06:11
Aleksandar Vuçiq

Serbia po përgatitet t'i japë Rio Tinto dritën jeshile për të zhvilluar minierën më të madhe të litiumit në Evropë dy vjet pasi Beogradi pezulloi projektin, duke hapur rrugën për një nxitje të konsiderueshme në industrinë e automjeteve elektrike të kontinentit, sipas Financial Times në një artikull të botuar dje me titull "Serbia përgatitet t'i japë dritën jeshile Rio Tintos".

Presidenti Vuçiç i tha gazetës se "garancitë e reja" nga gjiganti global i minierave dhe Bashkimi Evropian, duken të mjaftueshme për të trajtuar shqetësimet e Serbisë nëse standardet e nevojshme mjedisore do të përmbusheshin në luginën e Jadarit, në perëndim të vendit.

Kompania Rio Tinto tha në një deklaratë dërguar agjencisë së lajmeve Reuters përmes postës elektronike se “ne besojmë që Projekti Jadar ka potencialin të jetë një pasuri e klasit botëror që mund të shërbejë si një katalizator për zhvillimin e një zinxhirit të pjesëve të vlefshme të makinave elektrike në Serbi".

Megjithatë, duket se Vuçiç nuk bën asgjë pa një plan të fshehtë, dhe ky duket se është një tjetër rast. Artikulli ka nxitur reagime të ashpra në Serbi, nga media, analistë e politikanë serbë.

Justifikimi i vjedhjes

Deputeti i Partisë Demokratike Sr?an Milivojeviç tha se çdo ditë po mbërrijnë informacione të reja dhe shqetësuese.

“Vuçiç po del për të njëqindën herë nga kompetencat e tij kushtetuese dhe të përcaktuara me ligj, duke u vendosur si zotëruesi suprem i të gjitha burimeve të këtij vendi dhe ajo që është edhe më katastrofike si pronar i jetës dhe i së ardhmes sonë, duke i reduktuar qytetarët në subjekte të thjeshta”, tha Milivojeviç.

Ai shton se me një qëndrim kaq të vrazhdë dhe arrogant, Vuçiç po poshtëron dhe nënçmon mbi 30 mijë qytetarë të Serbisë të cilët nënshkruan Iniciativën Popullore duke kërkuar që Kuvendi Kombëtar të miratojë Ligjin për Ndalimin e Kërkimeve të Litiumit.

“Nxjerrja e litiumit nuk do të sjellë asnjë përfitim ekonomik për Serbinë dhe qytetarët tanë. Përkundrazi, e fut Serbinë në një periudhë të paqëndrueshmërisë së re dhe konflikteve të reja dhe i jep Vuçiçit një alibi tjetër me të cilën ai do të justifikojë vjedhjet e zgjedhjeve dhe veprimet jodemokratike dhe aktivitete kriminale para fuqive botërore”, beson Milivojeviç.

Konflikte në Serbi

Lëvizja “Kryengritja Ekologjike” njoftoi dje se miniera “Jadar” nuk do të ekzistojë, pavarësisht se çfarë thotë presidenti serb.

Vuçiç mund të thotë çfarë të dojë! Në bazë të cilit akt ligjor do të marrë leje minerare Rio Tinto? Nëse do të anulohej projekti, nëse Serbia nuk do të nënshkruante asnjë kontratë detyruese, nëse i kishin skaduar të gjitha lejet që Rio Tintos i kishin skaduar, mbi bazën e cilit akt ligjor Rio Tinto po hedh në sy projekt-studimin për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, pyeti “Kryengritja Ekologjike” në deklaratë.

Savo Manojloviç nga Lëvizja “Filloni të Ndryshoni” thotë se Serbia po shtyhet në konflikte dhe përçarje.

“Premtimi i Litiumit është çmimi që paguan komuniteti ndërkombëtar për të mbyllur një sy ndaj vjedhjes së zgjedhjeve. Kjo e shtyn Serbinë në konflikte dhe ndarje”, thotë Manojloviç.

Ai shtoi se pavarësisht dallimeve politike dhe ideologjike, të gjithë duhet të qëndrojnë pranë njerëzve që duan të shpërngulen nga vendi i tyre dhe pranë shkencëtarëve që e mbrojnë Serbinë me fakte.

Mesazhi për BE-në

Sakaq, siç shkruan “Financial Times”, ringjallja e planifikuar e marrëveshjes me Rio Tinto, dhe përfshirja e BE-së, shihen nga zyrtarët perëndimorë si një sinjal i rëndësishëm i shtrirjes gjeopolitike të Serbisë në një kohë kur ajo po përballet ekonomikisht dhe politikisht nga Kina, Rusia dhe vendet e Gjirit.

Serbia ka qenë një vend kandidat për në BE për më shumë se një dekadë, por procesi i pranimit ka ecur ngadalë mes shqetësimeve në Bruksel për çështje të tilla si sundimi i ligjit dhe korrupsioni.

Beogradi gjithashtu “ka përplasur brirët” me BE-në lidhur me statusin e ish-krahinës së tij të Kosovës, dhe është një nga dy vendet e vetme evropiane që nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë për pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat