“Roja bregdetare greke ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra emigrantëve”- BBC: I hodhën në ujë qëllimisht

Evropë

“Roja bregdetare greke ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra emigrantëve”- BBC: I hodhën në ujë qëllimisht

Më: 17 qershor 2024 Në ora: 09:55
Foto ilustrim

“Roja bregdetare greke ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra emigrantëve në Mesdhe gjatë një periudhe trevjeçare, duke përfshirë nëntë të cilët u hodhën qëllimisht në ujë”, ka denoncuar prestigjiozja britanike BBC, duke cituar dëshmitarë.

Të nëntë janë në mesin e më shumë se 40 personave që dyshohet se kanë vdekur si pasojë e dëbimit me forcë nga ujërat territoriale greke ose që janë nxjerrë sërish në det pasi arritën në ishujt grekë, sipas BBC.

Roja bregdetare greke ka kundërshtuar të gjitha akuzat për veprimtari të paligjshme.

Media britanike shkruan se ka publikuar pamjet e 12 personave duke u futur në një varkë të rojes bregdetare greke dhe më pas janë braktisur në një gomone.

Qeveria greke është akuzuar prej kohësh se i ka kthyer emigrantët me detyrim, duke i shtyrë drejt Turqisë, prej nga kanë kaluar, gjë që është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Por, BBC ka publikuar shifrat që tregojnë se emigrantët kanë vdekur rezultat i veprimeve të rojes bregdetare greke.

Në pesë nga incidentet, emigrantët thanë se u hodhën direkt në det nga autoritetet greke.

Në katër prej këtyre rasteve ata shpjeguan se si kishin zbritur në ishujt grekë, por u dëbuan. Në disa incidente të tjera, emigrantët thanë se ishin futur në gomone pa motorë, të cilët më pas u shfrynë ose dukej se ishin shpuar.

Një nga rrëfimet më rrëqethëse u dha nga një burrë nga Kameruni, i cili thotë se u ndoq nga autoritetet greke pasi zbarkoi në ishullin Samos në shtator 2021.

Ai ka dëshmuar se po planifikonte të regjistrohej në tokën greke si azilkërkues.

“Ne mezi ankoruam dhe policia erdhi nga pas”, rrëfeu emigranti për BBC. “Ishin dy policë të veshur me të zeza, dhe tre të tjerë me rroba civile. Ata ishin të maskuar, i shihje vetëm sytë.”

Ai dhe dy të tjerë, një tjetër nga Kameruni dhe një burrë nga Bregu i Fildishtë, u transferuan në një varkë të rojes bregdetare greke “ku ngjarjet morën një kthesë të tmerrshme”.

“Ata filluan me [tjetrin] kamerunian. E hodhën në ujë. Refugjati nga Bregu i Fildishtë tha: ‘Më shpëto, nuk dua të vdes… dhe më pas vetëm dora e tij ishte mbi ujë dhe trupi i tij ishte poshtë. Ngadalë dora i rrëshqiti poshtë dhe uji e përfshiu.”

I intervistuari tha se rrëmbyesit e kanë rrahur: “Më binin në kokë. Ishte sikur po goditnin një kafshë.”

Dhe më pas ai thotë se e kanë shtyrë edhe atë në ujë, pa jelek shpëtimi, por ishte në gjendje të notonte deri në breg, por trupat e dy të tjerëve – Sidy Keita dhe Didier Martial Kouamou Nana – u gjetën në vijën bregdetare turke.

Avokatët e të mbijetuarit kërkojnë që autoritetet greke të hapin një çështje vrasjeje të dyfishtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat