​Deklaratat fyese të Vuçiq, Sllovenia fton në intervistë të ngarkuarin me punë të Serbisë

Evropë

​Deklaratat fyese të Vuçiq, Sllovenia fton në intervistë të ngarkuarin me punë të Serbisë

Më: 24 prill 2024 Në ora: 21:23
Aleksandar Vuçiq

Ministria e Punëve të Jashtme sllovene ka ftuar në intervistë të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Serbisë në Lubjanë për shkak të deklaratave ofenduese të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Duke iu përgjigjur kësaj, presidenti i Serbisë tha se kërkon falje nëse ka lënduar dikë në Slloveni.

"Por unë nuk do t'u kërkoj falje politikanëve sllovenë. Unë po ftoj (kryeministrin Robert) Golob dhe (presidenten Natasha) Pirc Musar në Beograd për t'u thënë atyre se nuk po mendoja për sllovenët dhe për t'u thënë atyre në fytyrë çfarë mendoj për politikën e tyre të keqe ndaj Serbisë”, tha Vuçiq në Nju Jork.

Siç raporton portali slloven delo.si, të martën pas seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Vuçiq përmes një deklarate për media ka thënë se Serbia ka rënë në kurthin e saj të ngritur nga SHBA, Zvicra dhe Sllovenia.

“Kur u vonua seanca e Këshillit të Sigurimit, mendova se për çfarë bëhej fjalë, por më pas kuptuam se për këtë ishin marrë vesh me amerikanët, sllovenët dhe zviceranët. Nuk dihet kush është më i neveritshëm, sllovenët apo dikush tjetër”, tha Vuçiq.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon, deklarimet e Vuçiq i ka cilësuar si fyese dhe të papranueshme.

“Ne kërkojmë një shpjegim, një ndjesë, kjo nuk është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore apo miqësore”, tha ajo.

Fajon thekson se nuk mund ta imagjinojë një bashkëpunim të mirë nëse dikush shfaqet me fjalë ofenduese dhe fyen mbarë kombin.

"Ne presim që Serbia të veprojë në përputhje me vlerat evropiane që mbron", tha ajo në margjinat e takimit të komitetit të përbashkët Slloveni-Karinthia.

Edhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, i cilësoi deklarimet e Vuçiq si jashtëzakonisht fyese dhe shtoi se shprehje të tilla nuk janë të përshtatshme për presidentin e vendit.

“Shprehjet na kujtojnë kohë të tjera dhe nuk janë të denja për nivelin e arritur të marrëdhënieve mes shteteve”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Ai theksoi se Sllovenia në Këshillin e Sigurimit avokon për paqen dhe pajtimin ndërmjet kombeve.

“Respekti për këto përpjekjet tona është më e pakta që mund të presim nga presidenti i Serbisë mike”, shtoi kabineti i tij.

Ambasada e Serbisë në Lubjanë drejtohet nga një i ngarkuar me punë. Përkatësisht, Sllovenia ende nuk i ka dhënë pëlqimin Zoran Gjorgjeviq, kandidatit për ambasador të Serbisë në Lubjanë, për shkak të shqetësimeve në qarqet e sigurisë dhe inteligjencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat