Finlanda kërkon ndihmën e BE-së për ndaljen e fluksit të emigrantëve nga Rusia

Evropë

Finlanda kërkon ndihmën e BE-së për ndaljen e fluksit të emigrantëve nga Rusia

Më: 19 prill 2024 Në ora: 11:44
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, gjatë vizitës në kufirin mes Finlandës dhe Rusisë.

Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë masa për të ndihmuar Finlandën që të ndalë fluksin e emigrantëve përmes Rusisë, tha kryeministri finlandez, Petteri Orpo, më 19 prill.

Vitin e kaluar, Finlanda mbylli kufirin e saj të gjatë me Rusinë pas rritjes së numrit të personave që hynin në shtet, përfshirë shtetas të Sirisë dhe Somalisë. Helsinki akuzoi Moskën se po i përdorë si armë emigrantët kundër tij dhe BE-së. Por, kjo akuzë është hedhur poshtë nga Kremlini.

“Ne po përgatisim një legjislacion, por ne na duhen edhe masa nga BE-ja”, tha Orpo, pa dhënë më shumë detaje.

Ai këtë deklaratë e bëri gjatë vizitës që zhvilloi së bashku me shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kufirin që Finlanda ndan me Rusinë.

Von der Leyen deklaroi se KE-ja po punon ngushtë me shtetet e origjinës së emigrantëve dhe shtoi se pajtohet me qëndrimin e Finlandës.

“Ajo çfarë shohim është se një shtet po instrumentralizon njerëzit e varfër për të ushtruar person ndaj një shteti tjetër, prandaj qartësisht kjo është një çështje e sigurisë”, tha ajo.

Masat për të zgjidhur çështjen e emigrantëve nga Rusia duhet të jenë të tilla që të krijojnë një balancë mes mbrojtjes së sigurisë së kufijve dhe obligimeve ndërkombëtare, tha ajo.

Duke ndjekur shembullin e Polonisë dhe Lituanisë në kufijtë e tyre me Bjellorusinë, Qeveria finlandeze po harton një legjislacion që do t’iu lejonte rojeve kufitare të ndalojnë që azilkërkuesit nga Rusia të hyjnë në Finlandë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat