Administrata Tatimore e Kosovës(ATK) ka mbledhur 50 milionë euro më shumë të hyra në gjashtë muajt e parë të vitit 2024 sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në konferencë për medie të enjten tha se deri në qershor të hyrat e përgjithshme tatimore janë mbi 473 milionë euro, ndërsa kanë inkasuar 119 milionë euro borxh.
Ai theksoi se në bazë të kësaj janë tejkaluar objektivat që i kishin vënë në fillim të vitit.
Murtezaj: Kemi mbledhur 50 milionë euro më shumë të hyra sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar
“Nëse i referohemi të hyrave të përgjithshme tatimore kemi mbi 473 milionë euro të hyra tatimore, ndërsa nëse i referohesh borxheve kemi mbi 119 milionë euro borxhe të inkasuara. Nëse bëjmë krahasime te të hyrat e përgjithshme kemi mbi 12 për qind rritje apo mbi 50 milionë euro, apo te borxhet kemi mbi 20 për qind të inkasimit të borxheve”, tha ai.
Ai tha se kanë bërë përgatitjet e duhura që të përmbushet obligimi tatimor gjatë stinës së verës nga gastronomia dhe këngëtarët.
Tek këta të fundit, Murtezaj tha se vitin e kaluar ka pasur rritje të pagesës së obligimeve tatimore.
Murtezaj: Këngëtarët të paguajnë tatime aq sa fitojnë, jo më shumë
“Ende do të jemi në monitorim të këtij aktiviteti, pasi e dina se gjatë kësaj sezone verore janë aktivitete të shtuara nga kjo kategori e tatim paguese. Ne me qëllim që të parandalohet masa imponuese nga zyrtarët tatimor ne i bëjmë thirrje që secilit tatim pagues të tillë që të respektojë kërkesa ligjore dhe të deklarojë dhe paguaj tatime aq sa fiton, jo më shumë, asnjëherë”, theksoi Murtezaj.
Krahas këtyre, Murtezaj tha se ATK-ja vazhdon të ushtrojë autoritet edhe në pjesën veriore të vendit, megjithëse bëri të ditur se ka vështirësi operative.
Murtezaj: ATK-ja vazhdon të ushtrojë autoritet edhe në pjesën veriore
“Problemet me fiskalizimin ne jemi dëshmitarë që fenomeni i moslëshimit të kuponëve fiskal nuk është vetëm në pjesën e veriut, por ka edhe në Prishtinë. Për këtë ligjvënësi është obliguar që të marrë disa masa më të shtrënguese, por që janë në funksion të përmirësimit të fiskalizimit por edhe formalizmit të ekonomisë. ATK-ja vazhdon të ushtrojë autoritet edhe në pjesën veriore sigurisht me vështirësitë e saj sikurse edhe institucionet të tjera”, deklaroi Murtezaj.
Rritjen e mbledhjes së të hyrave, Murtezaj e arsyetoi edhe me zhvillimin e mbi 14 mijë inspektimeve nga ana e ATK-së.