Në mungesë të përkrahjes nga shteti, bizneset e vogla në Kosovë po i shfrytëzojnë panairet për të promovuar produktet e tyre. Ata thonë se ndikimi i këtyre bizneseve është i madh në zhvillimin ekonomik të vendit, derisa paraqesin nevojën për mbështetje institucionale.
Këto biznese tregojnë se interesimi i qytetarëve për produktet e tyre është i kënaqshëm, derisa shtojnë se edhe çmimet janë të arsyeshme.
Në panairin “Ekspos Deçani”, morën pjesë disa biznese nga vende të ndryshe të Kosovës, por edhe nga rajoni.
Përfaqësuesja e ëmbëltores “Cakes by Darina” nga Istogu, Kaltrina Arifaj tregoi se në këtë panair po marrin pjesë e disa lloje të ëmbëlsirave, por theksin e vë tek çokollata e Dubait. Për blerjen e këtij produkti, ajo potencoi se kërkesat po shënojnë rritje.
Përmes ekspozimit të artikujve në panair, Arfiaj pret që të rritet numri i klientëve, si dhe bashkëpunimi me biznese të tjera.
Ajo tha se duhet të ketë përkrahje nga shteti për bizneset e vogla, pasi sipas saj, ato kanë ndikim kyç në zhvillimin e vendit.
Arifaj: Duhet të kemi përkrahje, bizneset e vogla kanë ndikim në zhvillimin e vendit
"I kemi sjellur disa lloje të ëmbëlsirave, por edhe si risi e kemi edhe çokollatën e Dubait, që është bërë shumë virale dhe po punojmë vazhdimisht me çokollatën e Dubait, sepse po ka kërkesa. Çmimi për këtë është 2 euro e gjysmë, e ka një kosto shumë të lartë për përgatitje, kështu që çmimi është shumë i arsyeshëm...Po, po ka interesim, edhe vetë jemi shumë të kënaqur dhe nuk e kemi prit që do të ketë kaq shumë interesim, sepse po marrim për herë të parë pjesë në panairin në Deçan...Po presim që biznesi ynë të njihet ende më shumë, të fitojë një emër ende më të mirë sesa që e ka dhe të krijojë partneritete të reja si me kompani të ndryshme, ashtu edhe me klientë...A keni përkrahje prej institucioneve të shtetit? Thënë të drejtën, nuk kemi përkrahje. Ia kemi filluar vetë me financa tona, me kursime tona. Patjetër që duhet të ketë (mbështetje), sidomos për bizneset e vogla, se kanë ndikim shumë të madh në zhvillimin ekonomik të Kosovës", tha Arifaj.
Ndërkaq, Besnik Tahirukaj në “Ekspos Deçani”, mori pjesë me disa lloje të mjaltit. Ai i tregoi edhe çmimet e tyre, derisa u shpreh se nuk është e mjaftueshme mbështetja e shtetit për zhvillimin e biznesit të tij.
Tahirukaj: Nuk mjafton (mbështetja), por për fillim deri diku
"Po i prezantojmë produktet e mjaltit. Kemi mjaltin e akacesë apo bagrenit që është e njohur tek ne me këtë emër. Kemi mjaltë shumëlulesh apo mjaltë livadhi. Kemi mjaltë mali dhe bjeshke. Vetëm sa kemi dalur (në panair), kanë filluar të pyesin...Akaceja (bagreni) 20 euro, shumëlulëshi 20 euro, bjeshka 30, mali 25, janë një mijë gramësh...A keni sukses kur i paraqitni produktet nëpër panaire? Kryesisht po, edhe që nuk ka shumë shitje, ka shumë që reklama, që njerëzit porositin mëpas, interesohen i marrin vizitkartat, njëfarë forme ia vlen me dalë në panair. A po keni përkrahje prej shtetit? Kemi përkrahje prej qeverisë, i subvencionin bletë 20 euro për shoqëri apo koloni. Prej komunës kohë pas kohe kemi përkrahje...Nuk mjafton (mbështetja), por për fillim deri diku", u shpreh Tahirukaj.
Përveç bizneseve nga Kosova, në këtë panair morën pjesë edhe ato nga komuna e Pukës, Lezhës dhe Ulqinit.
Ardina Nikaj, asistente në një nga shoqatat për zbutje të varfërisë në qytetin e Pukës, mori pjesë në panair me disa produkte reçeli, bimë medicinale dhe pije alkoolike.
Ajo potencoi se çmimet i produkteve të ekspozuara janë të arsyeshme për vlerën që kanë. Nikaj tregoi se reçelet me bimë të buta kushtojnë 2 euro, ndërsa ata me bimë të egra 3 euro.
Nikaj theksoi se panairet janë frytdhënëse për bizneset, ngase u mundësohet reklamimi i produkteve.
Nikaj: Bimët medicinale janë me 1 euro
"Kjo shoqatë ka disa produkte që janë të ndryshme, pije alkoolike, liker raki, reçel, bimë medicinale, mjaltë, kërpudhat, sot nuk kemi kërpudha sepse nuk është seozni i tyre...Janë disa produkte që janë të zonës, nuk blihen nëpër qytete që janë më bregdetare që janë të zonave të ulëta, janë të zonave malore...Cilësia është më e mirë se e zonave të ulëta. si po ndikon panairi në shitjen e tyre? Po, tash është fillimi sa e kemi hapur, por interesimi është, mirë është bësh promovimin. Për ne është hera e dytë që kemi ardhur këtu në Deçan, ishim edhe vjet...Zakonisht panairet kanë qenë frytdhënëse, kanë dhënë prova që janë, reklamimi, marketingu. Reçelet me bimë të buta siç është fiku pjeshka, molla që janë pak më të thjeshta si bimë, janë 2 euro. Këto që janë më të egra, manaferra ,mjedra, shtogu janë me 3 euro. Likernat që janë me bimë medicinale ose me arrën e njomë, janë 6 euro. Rakitë variojnë 5 ose 10 euro, janë gjysmë litërshe. Kurse bimët medicinale janë me 1 euro. Janë çmime të arsyeshme për vlerën që kanë", tha Nikaj.
Panairi tradicional veror “Ekspos Deçani” u mbajt për herë të 13-të dhe ishte i hapur dy ditë.