S’dihet kur nisë kompensimi i qytetarëve për pagesën e energjisë së shpenzuar në veri

Ekonomi

S’dihet kur nisë kompensimi i qytetarëve për pagesën e energjisë së shpenzuar në veri

Më: 12 qershor 2024 Në ora: 20:37
Ilustrim

Mbi 40 milionë euro është shuma që Kompania e Distribuimit të Energjisë (KEDS) obligohet t’ia kthejë qytetarëve të Kosovës sipas një vendimi të nxjerrë nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Kjo pas një vendimi të Gjykatës Supreme dhe asaj Kushtetuese, se faturimi i qytetarëve për rrymën e shpenzuar në veri të Kosovës ishte i kundërligjshëm.

Sipas vendimit, KEDS duhet ta bëjë këtë më së largu deri në qershor të vitit 2030, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka nisur.

Kthimin e parave tek qytetarët po e kërkon edhe kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala i cili akuzon Qeverinë për mosveprim në këtë drejtim.

“Vendimi i Gjykatës duhet të implementohet, organet dhe mekanizmat implementues janë institucionet e shtetit. Është Qeveria dhe rregullatori të cilët duhet të harmonizojnë veprimet operacionale, mënyrën dhe evidencën e pagesës dhe domosdoshmërisht vendimi duhet të implementohet… Qeveria e ka portfolion e vet dhe duhet ta mbulojë atë pjesë që nuk mund ta mbulojë rregullaltori apo ndonjë nga organizatat shërbyese energjetike të vendit”, ka thënë Shala.

Kurse deputetja nga partia në pushtet, Jeta Statovci tregon se janë në komunikim me institucionet për të gjetur një modalitet për ekzekutimin e këtyre mjeteve.

“Besoj që do të jenë në negocim e sipër në mënyrë që të bëhet adoptimi i tillë, ne për këtë javë kemi pasur të planifikuar që të kemi raportimin e bordit të ZRRE-së kju padyshim kjo është një ndër temat që do të diskutohet por dinamika e kësaj jave për shkak se ka aktivitete të shumta është një konsensus të shtyhet për javën tjetër dhe besoj se është edhe në interes të publikut por edhe i yni për të parë detajet e këtij kompensimi”, ka thënë Statovci.

Procesin e kthimit të mjeteve tek qytetarët po e shohin si të udhës në institucionin e Avokatit të Popullit, sipas të cilëve është rivendosur një e drejtë e shkelur me vite ndaj qytetarëve.

“Ai faturim është ndalë, qysh në vitin 2017 për arsye se ne patëm vendosë edhe kërkesë për shtyrje të ekzekutimit vendimit të ZRRE-së qysh në 2017 është ndalë ky lloj faturimi dhe kjo është e rëndësishme për Avokatin e Popullit, kjo ka përfundu… Këtu është tash një proces përmbarimore që nuk i bjen në pyetje vendimet e Gjykatave që kanë kërkuar që kjo shumë me u kompensu”, ka thënë Suzana Gashi nga institucioni i Avokatit të Popullit.

Media ka kërkuar përgjigje nga KEDS se pse ende nuk është bërë kompensimi i këtyre mjeteve, por që është bërë e ditur se përgjegjës për këtë është Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

As këta të fundit nuk kanë qenë të qasshëm gjatë ditës për të dhënë sqarime pse nuk është duke u zbatuar vendimi i tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat