ATK: Vlerësohet puna për ngritjen e përmbushjes tatimore dhe menaxhimin e rreziqeve fiskale

Ekonomi

ATK: Vlerësohet puna për ngritjen e përmbushjes tatimore dhe menaxhimin e rreziqeve fiskale

Më: 4 qershor 2024 Në ora: 15:20
Foto ilustrim

Progresi i Administratës Tatimore të Kosovës në mbledhjen e të hyrave tatimore ndër vite, po kontribuon çdoherë e më shumë në rritjen e të hyrave buxhetore dhe mirëqenies së qytetareve të vendit. Këto arritje pasqyrojnë përkushtimin e vazhdueshëm të ATK-së për përmirësimin e shërbimeve dhe transparencës, si dhe për mbështetjen tatimpaguesve në kryerjen e obligimeve tatimore me kohë dhe saktë.

Në njoftim thuhet se ATK ka arritur të mbledhë të hyra tatimore, duke tejkaluar parashikimet dhe objektivat e planifikuara.

“Suksesi i atribuohet një sërë faktorësh, duke përfshirë reformat e realizuara vitet e fundit, si dhe automatizimin e proceseve të punës, të cilat kanë lehtësuar përmbushjen e detyrimeve tatimore, duke rritur efikasitetin dhe zvogëluar burokracinë. Njëkohësisht, është punuar shumë në fushatat e ndërgjegjësimit dhe edukimit të vazhdueshëm tatimor të tatimpaguesve, gjë që ka rezultuar me rritjen e përmbushjes vullnetare dhe zvogëlimin e evazionit fiskal. Po ashtu, me forcimin e kontrolleve dhe inspektimeve, përmirësimi i procedurave të kontrollit dhe inspektimit ka ndihmuar në identifikimin dhe korrigjimin e parregullsive në mënyrë efektive”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se të gjitha këto reforma janë vlerësuar pozitivisht edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare.

“I fundit është edhe vlerësimi i bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar - FMN, në të cilin theksohet trendi i ngritjes së përmbushjes tatimore dhe menaxhimi i rreziqeve fiskale. Përgjatë këtyre viteve raportet e institucioneve kredibile ndërkombëtare kanë vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e ATK-së me theks të veçantë: transparencën dhe llogaridhënien, digjitalizimin e shërbimeve, përparimet në investigimin e rasteve për evazion fiskal, konsolidimin dhe trajtimin e borxheve tatimore, si dhe reformat në rimbursimet tatimore etj”, thuhet në njoftim.

Administrata Tatimore e Kosovës është e përkushtuar të vazhdojë me përmirësimin e proceseve dhe shërbimeve të saj, me qëllim rritjen e mbledhjes së të hyrave dhe përmirësimin e klimës ekonomike të vendit. Po ashtu në fund thuhet se ATK është e inkurajuar nga vlerësimet pozitive ndërkombëtare dhe do të vazhdojë të punojë për të arritur rezultate edhe më të mira në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat