​Panairi “Prishtina 2024” mundësi për fuqizimin e investitorëve të rinj

Ekonomi

​Panairi “Prishtina 2024” mundësi për fuqizimin e investitorëve të rinj

Më: 29 maj 2024 Në ora: 15:30
Foto ilustrim

Është hapur zyrtarisht Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2024”, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, në të cilin ndërmarrje nga Kosova dhe më gjerë po promovojnë produktet dhe shërbimet e tyre, me qëllim të zgjerimit, depërtimit dhe rritjes së pjesëmarrjes së tyre në tregjet e huaja.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se ky panair ndihmon në promovimin dhe rrjetëzimin e bizneseve lokale, tërheqjen e investitorë të rinj, rritjen e eksporteve dhe gjenerimin e të ardhurave për bizneset, në mënyrë që Kosova të pozicionohet sa më fuqishëm në tregun ekonomik.

Derisa iu referuar të dhënave të Bankës Botërore, Bislimi tregoi se gjatë tri vjetëve të fundit Kosova ka arritur mesatarisht rritje ekonomike 6.2 për qind.

Bislimi: Panairi ndihmon tërheqjen e investitorëve të rinj

“Panairet si kjo ndihmojnë në promovimin dhe rrjetëzimin e bizneseve lokale, ofrojmë mundësi të zgjerimit të tregut dhe tërheqin investitorë të rinj...Ngjarje si kjo nxisin eksportet dhe diversifikimin e ekonomisë sonë, tërheqin turistë dhe gjenerojnë të ardhura për bizneset lokale duke kontribuuar për një ekonomi më të fortë dhe më dinamike në Kosovë...Për ne është shumë me rëndësi që bizneset e vendit dhe produktet tona të kenë një pozicionim sa më të fortë në treg, për çka kemi mbështetur deri tani mbi 250 biznese në promovimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre në 41 panaire ndërkombëtare duke rritur konkurrencën jashtë Kosovës. Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se gjatë tri vjetëve të fundit Kosova ka arritur mesatarisht një rritje ekonomike prej 6.2 për qind, tha Bislimi.

Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka folur rreth zhvillimeve në këtë panair si një mundësi për investime të reja, diskutime dhe prezantimin e ndërmarrjeve të suksesshme.

Rafuna: Panairi Prishtina 2024, vend ku bizneset gjejnë tregje të reja

"Panairi ynë ka ofruar vazhdimisht mundësi për rrjetëzim, diskutime dhe shkëmbime të njohurive dhe praktikave më të mira të biznesit. Është një vend ku bizneset vendore gjejnë tregje të reja, investitorët ndërkombëtarë zbulojnë mundësi të reja. Pjesëmarrja e një grupi kaq të larmishëm vendesh dhe organizatash është një tregues i qartë i angazhimit tonë të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme të ndritur me perspektivë për rininë dhe krejt shoqërinë kosovare. Përveç kësaj, gjatë këtij panairi do të ketë diskutime të rëndësishme mbi investimet, fondin e sfidave të rajonit dhe prezantimin e ndërmarrjeve të suksesshme. Këto diskutime janë shumë të rëndësishme, për të identifikuar mundësitë e reja për investime dhe për të adresuar sfidat me të cilat përballet vendi ynë," tha Rafuna.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci tha se panairi Prishtina 2024 ndërton ura bashkëpunimi dhe promovimin e produkteve vendore dhe se promovimi i vazhdueshëm i tyre duhet të jetë orientim për të ardhmen për institucionet tona.

Peci: Promovimi i bizneseve orientim në të ardhmen

“Evente si panairet në planin afatgjatë sikur ky në aspektin e zhvillimit ekonomik janë një investim që kthehet, sepse përmes këtyre mekanizmave fuqizohet aspektin e rrjetëzimit, vendoset kontakte të reja e ndërtohen ura të bashkëpunimit për të ardhmen. Ministria të cilën e drejtoj unë, ka investuar në gjithë zinxhirin e vlerës duke filluar nga prodhimi primar përmes subvencionimit, përmes subvencioneve e deri tek mbështetja apo përkrahje e bizneseve në rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese dhe përpunuese në një vlerë qe nga që nga fillimi i mandatit e deri tani mbi 200 milionë euro... Panairet janë mundësi e artë për të promovuar produktet tona që kanë arritur prodhimin final, por edhe ato që janë në faza të më hershme. Promovimi është aspekti në të cilët angazhimi institucional i odave ekonomike, por dhe bizneseve duhet të jetë orientim në të ardhmen, sepse Kosova ka kapacitet, potencial dhe prodhimtari në të cilin na duhet promovimi dhe lidhja e urave të bashkëpunimit”, tha Peci.

Ushtruesja e detyrës së drejtorit të USAID-it, Kerry Monaghan-Hogler ka vlerësuar rolin e rëndësishëm të bizneseve kosovare për krijimin e lidhjeve të reja me ekonomitë në Evropë dhe më gjerë. Ajo përmendi si sukses sektorin e përpunimit të drurit, ku rritja e kësaj industrie gjeneroi mbi 200 milionë euro në eksport.

Monaghan-Hogler:Rritja e industrisë gjeneroi mbi 200 milionë euro

“Ne e dimë se bizneset vendore janë kritike për të siguruar që Kosova të mund të zërë vendin e saj të merituar në skenën botërore. Ato bëjnë punë të jashtëzakonshme duke i treguar botës Kosovën e vërtetë dhe duke krijuar lidhje të reja me ekonomitë në Evropë dhe më gjerë. Megjithatë, për të luajtur këtë rol jetësor, shumë kompani kosovare fillimisht kërkojnë marrëveshje dhe partneritete me homologët ndërkombëtarë për t'i ndihmuar ato të kenë qasje në tregje të reja...Merrni për shembull sektorin e përpunimit të drurit në Kosovë. Në vetëm katër vjet ndërmjet 2019 dhe 2022, rritja e industrisë gjeneroi mbi 200 milionë euro në shitje eksporti për vendin. Kjo e ka ndihmuar gjithashtu Kosovën të fillojë të ndërtojë reputacionin në Evropë për orendi moderne dhe dizajne të shtëpive me porosi”, tha Monaghan-Hogler.

Kryetari i Këshillit të Biznesit të Saudi South Europe (SSE) Abdulrahman Almufarreh tha se kanë nënshkruar një marrëveshje me Odën Ekonomike të Kosovës, me të cilën synojnë të rrisin bashkëpunimin e bizneseve mes Arabisë Saudite dhe Kosovës.

Almufarreh: Do të ketë fluturime direkte nga Arabia në Kosovë

“Nënshkruam një marrëveshje me Odën Ekonomike të Kosovës ku u morëm vesh që veprat flasin më shumë se fjalët dhe i premtojmë të gjithëve se do të jemi të përkushtuar ndaj marrëveshjeve që kemi nënshkruar dhe kemi synim të rrisim të gjithë biznesin mes Arabisë Saudite dhe Kosovës dhe të gjitha vendeve të tjera të rajonit... Sot dhe nesër gjatë këtij panairi do të shpallim dhe do të nënshkruajmë një marrëveshje B2B, si dhe do të shpallim fillimin e fluturimeve direkte nga Arabia Saudite në Kosovë deri në fund të këtij viti. Pra, ne jemi të përkushtuar dhe jam i sigurt se për çdo vit biznesi do të rritet”,

Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2024” do të jetë i hapur për vizitorë deri më 31 maj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat