Fluksi i turistëve shton kërkesat për punë, bizneset në Durrës sytë te filipinasit

Durrësi

Fluksi i turistëve shton kërkesat për punë, bizneset në Durrës sytë te filipinasit

Më: 9 qershor 2024 Në ora: 12:35
Foto ilustrim

Këtë sezon, sektori i turizmit po përballet me mungesë punonjësish të kualifikuar sezonalë.

Me shtimin e rezervimeve dhe fluksin e turistëve në Durrës nevojat për të mbuluar shërbimet në këtë sektor janë të mëdha.

“Duke qenë se fluksi i turistëve vjen gjithnjë në rritje dhe kërkesa për fuqi punëtore rritet. Ajo që na shqetëson është se duhet të marrim punonjës sezonalë dhe këta kanë problemin e trajnimit”, u shpreh operatori turistik Eduard Xhepa.

“Po përballemi me një situatë që nuk është në favorin tonë në këtë sezon sepse ndjejmë shumë mungesa si në bregdet, hoteleri dhe bar-restorant, po me sforco familjare në rrethanat që po përballemi, se ka ardhur një fluks që nuk e prisnim, po bëjmë të pamundurën për t’iu përkushtuar”, tha operatori turistik Vaso Dhaskali.

Më të preferuar janë punonjësit vendas, por gjithnjë e më shumë bizneset që operojnë në këtë sektor janë të detyruar të punësojnë shtetas të huaj kryesisht nga vendet aziatike dhe pse problemet e komunikimit reflektohen në shërbim.

“Aktualisht kam aplikuar për 5-6 punonjës pasi ndjej mangësi dhe në sektorin e pastrimit. Ato vijnë kryesisht nga Azia, Bangladeshi dhe Indonezia dhe janë eksperte në këtë fushë”, tha Vaso Dhaskali.

“Bazohemi te vendasit sepse ata njohin më mirë traditat, prodhimin vendas, historinë dhe kulturën e Shqipërisë, po jemi të detyruar të marrim dhe punonjës të huaj për të plotësuar nevojat që ne kemi”, tha Eduard Xhepa.

” Jam nga Filipinet. Zgjodha Shqipërinë për të pasur një përvojë tjetër pune, fituar para dhe njohur njerëz të rinj. Erdha në dhjetor dhe punoj në Durrës prej 6 muajsh. Ndjehem mirë këtu”, tha një filipinase, punonjëse shërbimi.

Sipas operatorëve turistikë,  problematikat e rekrutimit të personelit të huaj këtë sezon kanë marrë dhe vëmendjen e autoriteteve shtetërore për lehtësimin e procedurave.

“Janë 15 kritere, dokumentacione në e-albania që duhen plotësuar që aplikimi të jetë i saktë. Kështu që me z. Gonxhe folëm dhe u tregua i gatshëm për të krijuar lehtësira për ata dhe ne që të jetë më e thjeshtë pjesa e rekrutimit të punonjësve të huaj”, tha Eduard Xhepa.

Shumë hotele të Durrësit janë rezervuar plotësisht deri në fund të shtatorit, ndërsa nevoja për personel të kualifikuar është një detyrim për të ofruar turizëm cilësor dhe kthim të flukseve turistike dhe në vitet në vazhdim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat