Plazhet e egra të Durrësit, turistët e huaj kanë zbuluar zonën e Kallmit dhe shtigjet natyrore për ecje në natyrë

Durrësi

Plazhet e egra të Durrësit, turistët e huaj kanë zbuluar zonën e Kallmit dhe shtigjet natyrore për ecje në natyrë

Më: 1 qershor 2024 Në ora: 14:28
Durrës

Në veri-perëndim të qytetit të Durrësit, vetëm pak kilometra larg qendrës së tij, shtrihet plazhi i bukur i Kallmit.

I pozicionuar mes detit dhe kodrave të gjelbëruara, gjithnjë e më shumë kjo zonë, dikur e frekuentuar vetëm nga pak vendas, po kthehet në një destinacion të preferuar edhe për turistët e huaj. Ata shprehen të entuziazmuar për këtë perlë të fshehur të natyrës.

“Kjo është një pamje e pazakontë. Nuk e gjen askund tjetër në Europë. Vërtet unike dhe interesante. Kjo pjesë e bregdetit na pëlqen shumë në krahasim me plazhet e tjera. Është private dhe e bukur”, shprehet një turiste.

Kallmi po shndërrohet në një destinacion jo vetëm për turizmin bregdetar, por edhe për atë të aventurës. Gjithnjë e më shumë turistët po e eksplorojnë këtë zonë, duke shijuar shtigjet natyrore dhe plazhet e vogla shkëmbore që ofron.

“Po kërkonim për zona për të bërë ecje, hiking dhe gjetëm këtë vend. Ne po qëndrojmë 20 minuta larg nga këtu”, shprehet një tjetër.

“Është zonë dhe rrugë e mirë për hiking, fresk. Uji ishte i ngrohtë dhe mund të notoje shumë dhe nuk rrezikoje mbytjen. Koha sot perfekte për ecje”, thotë një tjetër turist.

“Nuk dija ç’të prisja kur u nisëm dhe isha pak e shqetësuar pasi hera e parë këtu, por absolutisht vend miqësor dhe i sigurtë. Kërkova në Google dhe gjeta shumë rekomandime të turistëve nga BM dhe vendet e tjera për këtë vend”, shprehet një tjetër turiste.

Falë bukurisë së tij natyrore dhe qetësisë, Kallmi është një destinacion që nuk duhet humbur për këdo që kërkon një eksperiencë unike dhe të paharrueshme në këtë pjesë të bregdetit të Adriatikut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat