Dëshmia e rrallë e ish-ushtarit në Zagreb: Ne, shqiptarët nuk dinim çfarë kishte ndodhur më 6 mars 1981, por u dha alarmi...

Dokumentare

Dëshmia e rrallë e ish-ushtarit në Zagreb: Ne, shqiptarët nuk dinim çfarë kishte ndodhur më 6 mars 1981, por u dha alarmi...

Nga: Selim Hasanaj Më: 23 qershor 2024 Në ora: 13:18
Foto ilustrim

Do shkruaj nga kujtesa ime, sado që kanë kalue gati tri dekada nga koha. Asht ky nji tregim pak a shumë biografik, personal në të cilin, me sinqeritetin dhe respektin ma të madhe, do shkruaj edhe për të tjerë persona, që fati na caktojë që t’i takojë, t’i njof dhe të ndajë përditshmërinë me ta. Unë isha i varfën. I vetmi në familje, që isha në marrdhanje pune. Kjo edhe ishte shkak që me vite i bana eskivazhe shkumjes në shërbimin ushtarak jugosllav, sa herë që merrja ftesën.

Në mbrendin e shpirtit e dëshiroja që atë shërbim, kurr mos ta bajë, sepse nuk doja t’i shërbejë armatës e cila, për katër dekada më kishte pushtue dhe më sundonte. Disa herë më shkonte mendja edhe ta lëndoja veten, që pastaj të shkaktohet ndonji handikap, invaliditet i cili, do më lironte nga shkumja në ushtrinë e pushtuesit. Zoti shpesh ndëgjonë mendjet tona.

“Nuk banë, kështu janë rregullat e ushtrisë. Unë shoku toger me gjithë respektin per ushtrinë dhe ligjet ushtarake, këtë nuk mujë e bajë. Unë do shkojë në qytet dhe do pastrohem atje, në banjon publike të qytetit. Ngula kambë dhe per çudi e binda, sa ai më dha tri orë të lira, për të shkue e për t’u pastrue në qytet.

Ky rast u ba temë thash e thënash, mes ushtarve pastaj. Adem Zekaj më tha se, mirë ja pata ba që me aq kambngullje, kërkova të respektohem si njeri e, jo të trajtohem si shtazë.

Pasi kisha vesh uniformen, u afrova te nji pasqyrë dhe per çudi, nuk e njofta veten time. Desh më ra infarkt në zemër. Dukesha po sikur ata partizanët që i kisha pa në filma e, për të cilët baba më kishte tregue se si ata, kanë ba masakra në Drenicë dhe gjithandej nëper trojet shqiptare. I dhash vetes besën se, do bajë çmos, që për asnjë çmim, kurr mos t’i kryej detyrat, ashtu si obligonte rregullorja e punës ushtarake, që ata i thoshin PRAVILLA SLUZHBE.

Jo për t’u lavdue sot, pas sa e sa kohësh, por unë derisa isha aty në Bihaq, për ata tre muej ditë, ushtrues kursi apo, sikur i thoshin ata; “OBUKA”, arrita që mos të kryej asnji nga detyrat as obligimet. Ankoheshea se më dhemb kamba, më dërguen në spitalin e qytetit, aty konstatuen lendimin që kisha, pastaj më dërguen në Zagreb, në spitalin e mirnjohun “SHALLATO” dhe ata poashtu thanë, se e mira do ishte që unë të lirohem nga shërbimi i tutjeshem. Mirpo togeri Jokanoviq, doli me qendrimin e tij të prem.

Derisa ai ka komandon në njisinë ushtarake që unë isha dhe derisa të më përfundonte koha tremujore, unë nuk do lirohesha. Pastaj ai do më dërgonte në nji qytet dhe kasermë tjetër e, pastaj atje, do vendosej fati im. Ai nguli kambë në të tijën, ndërsa unë çaloja tanë ditën dhe nuk kryeja asnji shërbim.

M’i hoqën lidhsat e këpucve, më vendosën në stacionarin shëndetsorë. Aty për fat kishte libra të shumtë dhe unë kaloja ditën, tue lexue. Aty edhe mësova pothuej permëndesh rregulloren e punës dhe të drejtat e obligimet e ushtarve.

Kjo vazhdojë deri në ditën që u banë tre muej dhe më njoftuen se do më dërgojnë në Zagreb, për shkak se atje do më dërgojnë në spital dhe do shërojnë kambën time.

Katër ditë pa u nis për në Zagreb, në kasermën tonë ndodhi nji alarm i përgjithshem. Edhe unë sado që isha në stacionar, u detyrova të dal në vendin e caktuem, që mbaj mend se ishte pran nji lisi të madh, që kujtojë se ishte nji rrap qindravjeçar.

Aty ishte edhe nji ushtar tjetër i cili, më tha se ishte slloven. Derisa unë dhe ai qëndronim dhe dridheshim nga të ftofhtit, papritmas ndëgjuem së pari nji krisëm pushke, pastaj pasoj nji rafall i automatikut.

Pash se nga ana lindore e vendit ku qëndroja, shkoj nji flakë e kuqe kah qielli. Kaluen disa minuta, ma së shumti 10-15, kur u dha alarmi për t’u këthye në kasermë. Erdhëm unë dhe ai slloveni i cili, kur pa se unë flasë sllovenishten, u tregue i njerzishëm dhe më kapi për krahu e, më ndihmojë të ecim duke çalue nëper atë borë të madhe.

Erdha në stacionar. Aty pash dy makina të ambulancës dhe te dera nji ushtar i vjetër, nuk më lejojë të futem në dhomën, ku kisha ba tanë motin. “Jo – më tha – duhet të shkosh në çetën tande. Ka ndodhë nji fatkeqësi dhe stacionari asht i zanun sonte”.

Nuk kisha çka bajë, shkova atje dhe kujdestari ma gjeti nji krevat, ku fjeta atë natë.

Të nesermen na zgjuen me zanin e trompetës si zakonisht dhe me po të njejtën procedurë. Mirpo në derë të dhomës, na erdhi nji oficer i ultë, më duket flamurtar ishte dhe na tha se; pasi të pastrohemi, duhet menjiherë të tubohemi në pistë, ku do na informoj komandanti i kasermës, koloneli Rade Llukaq, për nji rast.

Gjithçka u krye shpejtë, minutat ikën dhe neve u gjetëm të rreshtuem në pistë. Shifej nji tension tek të gjithë, togeri Jokanoviq, erdh i zymt dhe i heshtun. Kur pa kolonelin tek vjen na dha komandën gaditu dhe na urdhnojë ta përshendesim kolonelin.

Koloneli Rade Llukaq, mori fjalën; “Të dashtun ushtar, me keqardhje duhet të ju lajmrojë, se mbramë ka ndodhur nji fatkeqësi, nji shoku i juej, ka vra me pahiri, ushtarin Dragan Kovaçeviç. Pasi ka pa se shoku i mbeti i pa jetë, ushtari në fjalë, bani vetvrasje. Ky ushtar asht i përkatësisë së pakicës kombëtare shqiptare. Pra kemi dy ushtar të vramë”.

Unë dhe Adem Zekaj, shiquem njani tjetrin. Po të na kishte pre dikush me thikë, nuk do na delti nji pikë gjak. Kuptuem se qenka ba nji lojë e tmerrshme. Koloneli pastaj, foli për disa minuta, tue lavdue të dy ushtarët që kishin humb jetën, por mue më bani përshtypjen nji fakt: Ai nuk e tha emnin e ushtarit shqiptarë?!

Ata ushtarët e rinj, që kishin ardhë së bashku me mue, ishin të gjithë. Cili paska qenë ai ushtarë shqiptarë, që neve nuk e paskemi njoftë?! Pas dy ditve, nga nji ushtar (boshnjak me kombësi), mësova se paska pas qenë nji ushtar i vjeter, i cili paska pas edhe nji javë për ta krye sherbimin dhe me shkue te familja e vetë. Ushtari që më tregojë, ishte nji ushtarë i vjetër, që punonte në kuzhinë.

Nuk ja dinte emnin, as nga cili qytet ishte nga Kosova. Por dinte se atë e kishin pas mundue përgjat tanë kohës së shërbimit dhe ai nuk ishte shoqnue me askend. Kishte qen tip vetjak. Mirpo ishte edhe nji çudi tjeter. As ky ushtari që më foli për shqiptarin e vramë, e as askush tjetër, nuk e njifke viktimën tjetër, Dragan Kovaçeviç…?!

Unë sot nga ajo largësi kohore, nuk di saktësisht, cila ishte data e këtij rasti, mirpo mund ta bajë nji llogari. Shërbimi im pat fillue me 6 janar 1981. Kursi ushtarak, do zgjaste tre muej, pra 90 ditë, që do thotë se ka qenë diku përafërsisht, fillimi i prillit të vitit 1981.

Në Kasermën “7 Korriku”, në Bihaq të Bosnjes, u vra nji ushtar shqiptarë, identitetin e të cilit, askush nga neve ushtarve të rinj, që ishim në atë kasermë, nuk e ditëm as nuk arritëm ta mësojmë kurr…!

LAJMI PER DEMOSTRATAT STUDENTORE TË MARSIT 1981, NË PRISHTINË

Qëllimisht i kam dhanë titullin “Ushtarët Shqiptarë në Zagreb gjatë vitit 1981 – 1982”, sepse atje ndodhën ngjarje të ndyshme, por meqënse unë fillova shërbimin së pari në Bihaq të Bosnjes, e fillova edhe këtë shkrim, me përjetimet e mia në Kasermën “7 KORRIKU”, në Bihaq.

Neve, ushtarët shqiptarë në Kasermën “7 KORRIKU” në Bihaq, nuk kishim idenë se çka ka ndodhë me 6 mars në mencën e studentëve të Universitetit të Prishtinës. Na u dha alarmi për ngritje nga gjumi si zakonisht, në mengjes të 7 marsit 1981.

Pas kryemjes së obligimeve të zakonshme, që tashma kishin kalue në rutinë për shumicën tonë, neve u renditëm në “PISTË”, ku pritnim se cilat do jenë detyrat dhe obligimet, që duhet t’i kryenim atë ditë.

Togeri Millorad Jokanoviq, nëntogeri Rasim Deliq, nji rreshter, nji flamurtar dhe edhe nji kapiten i klasit të parë, që për neve ishte i panjohun, duelen nga zyrat e komandës dhe u drejtuen kah neve, që ishim rendue me komandën e nji rreshteri kujdestar.

Pasi rreshteri kujdestar i dha raportin togerit Jokanoviq, ky i fundit mori fjalën. Na përshëndeti dhe prezantojë për neve, musafirin nga Zagrebi, kapitetin Ljubomir Cvetkoviq. Pas kësaj, na tha se pas pak do vinte koloneli Rade Llukaq dhe do na jepte nji informatë të randësishme, për nji ngjarje që kishte ndodhë një ditë më parë, në krahinën tonë ma jugore, në Kosmet, gjegjësishtë në kryeqendrën e saj, në Prishtinë.

Unë dhe Adem Zekaj, ishim afër njani tjetrit, kurse në rreshtin përball nesh, ishin Dalipi, Skënderi, Shefketi (preshevari) dhe nji tjetër nga nji fshat i Therandës, (Prizrenit), me mbiemnin Dakaj. Emni nuk më kujtohet tani.

Ky kishte qenë në spital në kohën kur unë erdha të shërbejë dhe me të u njoftova ma vonë. Ishte nji djalë i urtë, por kishte probleme që nga lindja, me këmbët të cilat, i kishte me defekt në kuka. Kishte pas shumë operacione, por jo me plot sukses.

Pra, pasi togeri Jokanoviq përmendi Prishtinën, neve ushtarët shqiptarë instiktivisht shiquem njani-tjetrin. Këto shiqime tonat, nuk i kaluen pa u pa synit kriminel të togerit Jokanoviq, por edhe kapitenit musafir, Cvetkoviq.

Erdhi ma në fund koloneli Rade Llukaq. Na dhanë komanden; gaditu, ju raportue kolonelit dhe pas komandës; qetsohu, koloneli Llukaq, fillojë me folë me nji tonë disi të “dhimshëm e vajtues”!

Ky ishte përafërsishtë fjalimi i tij, të cilin ata e quejtën fjalim, ndërsa unë do e queja njoftim!

“Të dashtun shokë ushtarë, me keqardhje kamë obligim nga lartë, pra nga Komanda e Armatës së V-të, pjesë e së cilës asht Kaserma e jonë dhe neve, të ju njoftojë se ditën e djeshme, pra me 06. mars 1981, në mencen e studentëve në Prishtinë, nji grup i studentëve të pakices kombëtare shqiptare, janë rebelue për shkak se sipas tyne, kushteve të këqia për të studjue në atë Universitet, ushqimit të dobët dhe disa padrejtësive të tjera, që atyne ju duket se u bahen.

Ata kanë protestue per disa orë dhe kanë dalë me kërkesa të qarta, si dhe me kërcnimin që; nëse ato nuk plotësohen dhe nëse nuk përmirsohen kushtet e tyne, ata do dalin ma masovikisht të demostrojnë. Protesta u shpërnda pa pas nevojë të intervenojë policia dhe gjithçka atje asht e qetë dhe nën kontrollë….”!

Kjo ishte përafërsisht ajo që foli koloneli Rade Llukaq. Kur ai përfundojë, na njoftojë se; ushtarët e pakicës kombëtare shqiptare, në këtë kasermë, do kenë sot biseda veç e veç, pra në katër sy, me kapitenin Ljubomir Cvetkoviq, që ka ardh enkas nga Zagrebi, për të bisedue me neve.

I pari u thirra unë dhe më thanë të shkojë para komandës dhe të pres aty. Pas meje, u lexue Adem Zekaj dhe kështu me radhë. Te dera e nji zyreje, më priti kapiteni Ljubomir Cvetkoviq, i cili hapi derën dhe më ftojë të futem mbrenda. “Unë jamë kapiten Cvetkoviqi”, – më tha.

“Jamë i lindun në Zhitoraxh të Nishit, kamë shërbye edhe në Pejë, në Gjakovë dhe në Shkup. Jamë epror i Shërbimit Sekret Ushtarak të APJ-së (Armata Popullore e Jugosllavisë). Të lutem na u brezanto pak, duhet t’i marr shenimet biografike dhe familjare”.

“Mirë – i thash, – por juve keni ato shënime, juve keni dosje për secilin ushtarë e, edhe për mue dhe më duket e pa arsyeshme t’i përsërisim tani, por nëse doni, ja biografia ime: Unë jamë Selim Hasanaj. Kamë lind me 20 korrik 1955, në Lubozhdë të komunës së Istogut, nga baba Mustafë Hasanaj dhe nana, Zyhra Hasanaj. Jamë me profesion puntorë, i administratës me përgatitje të naltë shkollore.

Kamë krye në Kranj të Sllovenisë, SHKOLLEN E NALTË ADMINISTRATIVE PROFESIONALE. Jamë i martuem, pres fëmiun e parë, diku kah korriku i këti viti, kamë edhe dy vëllazën dhe nji motër, të gjithë nxansa dhe ma të ri se unë.

Baba asht i papunë po ashtu edhe nana. Janë katundar pa pronë dhe kanë vetëm nji shtëpi kasolle për banim. Vetë jetojë në Lubjanë të Sllovenisë, në rrugen ‘CIRIL METODEV’ TRG. 17. Kaq mund të flasë për veten”. time.

“Mirë Selim, më trego pse bashkshortja e jote e ka mbiemnin Hoxha e, jo Hoxhaj”?!

“Shoku kapiten, bashkshortja e ime, e ka mbiemnin Hasanaj, duket se jeni keqinformue”!

“Po, po masi asht martue me ty, por mbiemni i vajznisë, pse asht i tillë, biles asaj dikush, ja ka përmirsue, nga Hoxhiq në Hoxha, në tetor të vitit 1980, saktësishtë me 7 tetor. Pse ka ndodhë kjo”?!

“Shoku kapiten, juve e dini se prapashtesa ‘iq’ dhe ‘viq’, nuk i përket të folmes shqipe, asht e hueja për fjalorin tonë, unë nuk e di kush ka përmirsue atë mbiemën të bashkshortes time, këtë padyshim e ka ba dikush nga familja e saj, por kushdo që e ka ba këtë, ka ba mirë, sepse ka rregullue mbiemnin shqip.

Mendojë se kjo nuk asht as antiligjore, as antikushtetuese, andaj nuk më duket temë, për të cilen kamë çka flasë tash, me juve. Të drejtat nacionale e fetare, janë të garantueme me ligj dhe kushtetutë të Jugosllavisë, apo jo”.

“Po, po, mirë e ke, unë vetem ashtu pa qëllim të keq, të pyeta, thash ta di mendimin tand. Dhe masi jemi te familja e bashkshortes tane, a ma thue, pse nji vëlla i saj, e ka emnin Enver?! A ta merr mendja se, a ka qenë ky Enveri, që ka pëlqye ta hjek at mbrapashtesën që i thue ti ‘IQ’ dhe tash ati i del emni, po sikur i ati xhaxhit të juve, Enver Hoxha”?

“Shoku kapiten, unë nuk po kuptojë se për cilin xhaxh e ke fjalën?! Grueja ime, ka vetem nji axhë, ai quhet Haxhi, asht mjek anesteziolog dhe tani e 35 vite, jeton e punon diku në Gjermaninë Perendimore. Unë nuk kamë as xhaxh, as hallë, sepse axhën tim, e ka helmue çetniku KOSTA PEÇANAC, kur ai ishte fëmijë 9 vjeç, ndersa baba im, 7 vjeç.

Unë e mbaj sot trashëgim për mallë të tij, që pat gjyshja ime emnin e tij. Dy halla më kanë vdek, nga pasojat e urisë, që ishte rezultat i pushtetit të shtetit monarkist të Mbretnisë SKS (Mretnia: Serbo-Kroato-Sllovene). Nuk po ju kuptojë, për cilin xhaxh më flisni”!

“Mirë e ke shoku ushtar, ti si djalë i nji ballisti, nuk e njef as Titon, as xhaxhin Enver. Por do të bajë unë, me i njoftë. Do takohemi unë dhe ti prap, ik tash, je i lirë dhe ma thirr ushtarin, Adem Zekaj”.

Dola jasht dhe pasi pash Ademin në shoqni, me nji serb nga Nishi, që quhej Zvonko Glishiq, e thirra dhe i thash se e pret kapiteni Cvetkoviq. Shkova në dhomen time, ku baja kohën dhe aty mora edhe njiherë ta lexojë ‘USTAV SFRJ’ (Kushtetuta e Republikes Socialiste Federative të Jugosllavisë). Memorie.al/ Nga Selim Hasanaj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat